Pesë restorante dhe bare në Stokholm të Suedisë janë mbyllur nga autoritetet lokale pasi inspektorët vlerësuan se ato nuk i kanë respektuar masat e sigurisë kundër përhapjes së Coronavirusit.
Zyrtarët kryen inspektime në këto vende pas shqetësimeve se disa lokale nuk janë duke krijuar kushte për të nxitur distancim social mes klientëve, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Autoritetet u dhanë vërejtje edhe disa restoranteve tjera gjatë fundjavës që shkoi. Inspektime u kryen edhe në qytetin Lund, ku të gjitha lokalet ishin duke i zbatuar masat.
Suedia i ka mbajtur të hapura restorantet, baret dhe kafenetë që nga fillimi i përhapjes së virusit, por muajin e kaluar kërkoi nga këto lokale që të ofrojnë vetëm shërbime në tavolina për t’i shmangur turmat e njerëzve në banak.
Shteti skandinav është kritikuar nga ekspertë të ndryshëm për mungesën e masave kufizuese dhe shkallën e lartë të viktimave të Coronavirusit për një milion banorë në krahasim me vendet fqinje.