Komuna e Prishtinës ka mbyllur disa parkingje pa leje, mëngjesin e të premtes, raporton Ekonomia Online.
Siç shihet edhe në këto pamje të kësaj agjencie të lajmeve, kjo hapësirë tashmë do të jetë në dispozicion të qytetarëve.
Sipas kryetarit Përparim Rama, parkingjet e mbyllura për vite me radhë kanë bllokuar lëvizjen e lirë në kryeqytet.
Ai ka njoftuar se komuna ka marrë masa konkrete për të liruar hapësirat publike të uzurpuara ilegalisht nga parkingjet private.
“Po ua kthejmë qytetarëve hapësirat publike! Çdo hapësirë e uzurpuar po lirohet në mënyrë që qytetarët të kenë qasje të lirë dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre në qytetin e tyre. Sot kemi ndërmarrë veprime konkrete duke mbyllur disa parkime pa leje që për vite me radhë kanë bllokuar lëvizjen e lirë në kryeqytet. Qytetari është prioritet i yni”, ka shkruar Rama në Facebook.