Mbyllen shkollat serbe në veri të Kosovës

Prishtinë | 12 Dhj 2022 | 11:00 | Nga Ekonomia Online

Shkollat fillore dhe të mesme në komunat në veri të Kosovës nuk do të punojnë deri në njoftimin e radhës, për shkak të situatës aktuale të sigurisë, konfirmoi drejtori i shkollës fillore “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut, Miodrag Jovanoviq, për Radion Evropa e Lirë.

Ai nuk dha detaje se deri kur nuk do të shkojnë nxënësit në shkollë, por vetëm tha se një vendim i tillë është marrë të dielën mbrëma.

“Me shumë gjasa” është marrë nga institucionet kompetente, tha ai.

Shkollat në mjediset serbe në veri të Kosovës funksionojnë nën sistemin e Serbisë.

Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë shënuar një sërë incidentesh të armatosura, që kanë kulmuar me vendosjen e barrikadave pasditen e 10 dhjetorit.

Fillimisht, zyrtarët zgjedhorë, që po përgatisnin zgjedhjet lokale, u penguan që të shkonin në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.

Më 10 dhjetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shtyu për në prill zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Këto katër komuna, të banuara me shumicë serbe, janë pa kryetarë që nga nëntori, pasi ata – që bashku me policët dhe punëtorët e sistemit të drejtësisë në veri – dhanë dorëheqje për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

Megjithatë, më 10 dhjetor, serbët lokalë nisën ngritjen e barrikadave në veri në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thanë se ish-polici, Dejan Pantiq, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të KQZ-së në veri.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që të largohen barrikadat dhe kanë dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX.

Teksa tensionet janë rritur në veri të Kosovës, krerët shtetërorë në Serbi kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për t’i kërkuar që të lejohet dislokimi i forcave ushtarake dhe policore në Kosovë. Qeveria në Prishtinë i ka cilësuar këto paralajmërime si “agresion”.

Të ngjashme