Mbyllet edhe për 25 ditë stadiumi “Fadil Vokrri”

Prishtinë | 12 Sht 2024 | 11:37 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar se stadiumi “Fadil Vokrri” do të mbyllet edhe për 25 ditë.

Në komunikatë thuhet se Dr. Tugrul Hocaoglu, doktori i agronomisë dhe ekspert i UEFA-s ka shpjeguar se bari është natyral pavarësisht kritikave, por ka nevojë për kohë për procesin e rritjes.

Kësisoj, FFK-ja do ta mbyllë edhe për 25 ditë të ardhshme “Fadil Vokrri”, i cili do të hapet kur Kosova ta pret Qipron në muajin tetor.

“Presidenti Agim Ademi dhe Ministri i Sportit Hajrulla Çeku vizituan stadiumin “Fadil Vokrri” së bashku me ekspertët e fushave nga UEFA.

Dr. Tugrul Hocaoglu, doktor i agronomisë dhe ekspert i fushave nga UEFA, i cili ka qenë përgjegjës për stadiumet e finales së Champions League, shpjegoi se bari natyral është në proces rritjeje dhe për këtë është e nevojshme kohë. Momentalisht, moti që po mbretëron është në favor të këtij procesi dhe puna do të kryhet intensivisht për një muaj.

Në 25 ditët e ardhshme, duke filluar nga dita e sotme, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nuk do të ketë asnjë aktivitet sportiv, as ndeshje as seanca stërvitore, sepse fusha do të punohet për të arritur qëllimin e të gjithëve, kompletimin e fushës hibride me rritjen e barit natyral në të.

Aktivitetet në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” do të rikthehen për ndeshjen e radhës të Kombëtares së Kosovës më 15 tetor”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Të ngjashme