Këshillimorja e Fëmijëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, në të cilën nënat i ushqenin foshnjat dhe merrnin këshilla nga mjekët për rritjen e tyre, është mbyllur më 3 janar 2019 pas një vendimi të Inspektoratit të Shëndetësisë në Kosovë. Megjithatë, ky vendim i Inspektoratit po konsiderohet të ketë qenë i ndikuar, shkruan gazeta “Zëri”.
Drejtues të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë akuzojnë ish-shefen e Pediatrisë në QKMF, Hamide Latifaj, të ketë ndikuar në mbylljen e Këshillimores, pasi ajo punon edhe në klinikën e saj private dhe Këshillimorja ia ka vështirësuar punën asaj në ordinancë private.
Gazeta “Zëri” ka provuar që për këtë çështje ta kontaktojë edhe Latifajn, por ajo nuk i është përgjigjur interesimit të gazetës.
Ndërsa personeli shëndetësor në këtë Qendër Mjekësore e ka vlerësuar si shumë të nevojshme ekzistimin e kësaj këshillimoreje.
Ndonëse Këshillimorja për Fëmijë tashmë qe gjashtë ditë është mbyllur, në hyrje të objektit, ku është edhe Pediatria, ende është e vendosur tabela “Kati 1 Këshillimorja për fëmijë”.
Me të hyrë në pjesën e Pediatrisë për pacientët nuk ka asnjë lajmërim se Këshillimorja është mbyllur.