Është mbyllur qarkullimi për vetura në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Jarinjë. Shkak është një protestë në territorin e Serbisë, e paralajmëruar për të nisur në orën 16:00 dhe që do të zgjasë dy orë. Protesta po organizohet kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës për të zbatuar Ligjin për të huajt dhe atë për automjete.
Një ditë më parë, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar dhe Ministria e Punëve të Jashtme, paralajmëruan qytetarët që të planifikojnë udhëtimet dhe të shmangin pritjet potenciale.
Protesta po organizohet nga subjekti opozitare në Serbi, Partia e Re Demokratike. Ajo ditë më parë paralajmëroi protestë nga Rashka për në Jarinjë me sloganin “Serbët nuk janë të huaj brenda shtetit të tyre”, shkruan Koha.
“Me rastin e fillimit të zbatimit të Ligjit për të Huajt, të miratuar nga institucionet e përkohshme në Prishtinë, i cili – sipas këtij mesazhi – është i drejtuar kundër popullit serb që jeton në Kosovë, ju ftojmë të gjithëve në një tubim mbështetjeje për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë! Tani ata kanë nevojë për ne më shumë se kurrë!”, thuhet në njoftimin e kësaj partie. Ky subjekt ka paralajmëruar bllokim dyorësh të qarkullimit në pikën kufitare Jarinjë, duke nisur nga ora 12 e 44, si referencë për rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën.