Roger Federer do ta humbë pjesën e mbetur të sezonit 2020, pasi që është detyruar ta bëjë një ndërhyrje tjetër shkaku i lëndimit të gjurit të këmbës së djathtë.
20-herë fituesi i Grand Slams ishte bërë fillimisht operacion për këtë problem në shkurt, mirëpo tash është bërë e ditur ai ka hasur në disa probleme gjatë procesit rikuperues dhe është detyruar ta bëjë një tjetër operacion, që ia pamundëson të kthehet në garat e mbetura të këtij sezoni.
“Mezi po pres t’i shoh sërish të gjithë në turnetë nga fillimi i sezonit 2021”, shkroi 38-vjeçari zviceran.
Garat profesioniste në tenis kanë qenë të suspenduara që nga marsi për shkak të përhapjes së virusit Covid-19, ndërsa Federer nuk ka luajtur që nga disfata kundër Novak Djokovicit në gjysmëfinalen e Australian Open në janar.
Ai është përballur me lëndime të ngjashme edhe në të kaluarën, pasi që e kishte humbur edhe pjesën më të madhe të sezonit 2016 shkaku i lëndimit në gju – pas së cilës ishte kthyer duke e fituar Australian Open dhe Wimbledon.
“Para disa javësh, pasi i pësova disa probleme gjatë procesit rikuperues, unë u detyrova ta bëj edhe një tjetër procedurë në gjurin e këmbës së djathtë”, shkroi Federer.
“Tani, ashtu siç kisha bërë gjatë sezonit 2017, planifikoj ta marr të gjithë kohën e nevojshme në mënyrë që të jem 100 për qind gati të luaj në nivelin më të lartë”.
Turneu ATP është i suspenduar të paktën deri në fundit të korrikut për shkak të pandemisë, ndërsa US Open pritet të fillojë më 31 gusht e French Open më 20 shtator.