Pas vrasjeve në dy kazino (Mushtisht dhe Lipjan) të personave të punësuar aty, plaçkitjeve të shpeshta, përpjekje për vetvrasje dhe vetvrasje për shkak të humbjes së pasurisë, me të drejtë pati reagime të shumta të opinionit e të cilat pastaj u barten te institucionet që, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës miratuan një rezolutë që të mbyllen kazinot dhe lojërat e fatit për një periudhë 10 vjeçare, pasi të jenë përmbushur procedurat ligjore për ndalimin e lojërave të fatit përmes ndryshimit të ligjit.
Pas kësaj, ministri i Financave, Bedri Hamza pati deklaruar se asnjë kazino në Kosovë nuk ka pasur leje pune e që nënkupton përgjegjësinë e shtetit që e ka lejuar këtë aktivitet, për një kohë aq të gjatë, pa e mbikëqyrur punën e tyre dhe pa vjelur taksat sikur që bënë edhe për bizneset tjera. Për më keq, në këto lojëra ilegale të fatit ishin përfshirë një numër i madh i të rinjve dhe nxënësve.
Kazinot dhe lojërat e fatit në Kosovë , duke punuar pa leje dhe në një terr informativ, si pasojë kanë pasur disa raste që kanë përfunduar me fatalitet, ka pasur plaçkitje të armatosura dhe kanë shkaktuar shumë probleme personale (të frekuentuesve) si dhe tragjedi familjare.
Pas këtyre paralajmërimeve Policia e Kosovës, Dogana dhe ATK patën filluar një aksion të bastisjeve të kazinove dhe lokacioneve të lojërave të fatit pas së cilës që të gjitha u mbyllën
Mbyllja e kazinove dhe lokacioneve të lojërave të fatit sipas KMDLNj-së nuk do ta ulin shkallën e kriminalitetit por rrtitja e pranisë së shtetit ligjor, kontrollet dhe mbikëqyrja e rregulltë, duke i detyruar t’i përmbahen rregullave fiskale, sigurisht se do të ndikonin dhe do të kontribuonin në uljen e krimit si dhe në rritjen e shkallës së mbledhjeve të taksave dhe tatimeve e që nuk është bërë deri më tani. Me mbylljen arbitrare të kazinove dhe lojërave të fatit po stimulohet ekonomia informale për faktin se tani kemi kazino dhe lokacione të lojërave të fatit që ushtrojnë aktivitetin ilegalisht dhe thuaja për çdo ditë kemi raste kur Policia e Kosovës zbulon ndonjë lokacion ku ilegalisht veprojnë kazinot dhe lojërat tjera të fatit. Pastaj, disa kazino dhe lojëra tjera të fatit kanë zhvendosur aktivitetin e tyre në Maqedoninë e Veriut, afër kufirit me Kosovën sikur që e bëjnë transportin gratis nga Kosova e që nënkupton se kemi dëm të dyfishtë ; qytetarët e Kosovës vazhdojnë të frekuentojnë kazinotë dhe lojërat e fatit ( në Maqedoninë e Veriut ) kurse autoritetet maqedonase vjelin taksat nga biznesi dhe qytetarët e Kosovës.
KMDLNj vlerëson se mbyllja e kazinove dhe lojërave të fatit mund të ketë efekt momental gjë edhe që u dëshmua këta disa mua , nga muaji marsj pas mbylljes së tyre.
KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon përgjegjësi nga ata që kanë lejuar që kazinot të punojnë pa licencë një kohë të gjatë sikur që kërkon që këto kazino dhe lojëra të fatit të detyrohen të paguajnë taksa dhe tatime në mënyrë retroaktive, një pjesë e së cilës pastaj do të shkonte familjarëve që kanë humbur të dashurit e tyre nga ky aktivitet ilegal , për fat të keq i lejuar nga vet shteti.
KMDLNj nuk sheh vullnet nga institucionet që të merren në përgjegjësi personat përgjegjës që kanë lejuar një aktivitet ilegal për një kohë aq të gjatë me ç’rast buxheti i Kosovës është dëmtuar dhjetëra e qindra milionë euro.
Gjithashtu, KMDLNj mendon se mbyllja e kazinove dhe lojërave të fatit nuk mund të afatizohet për një periudhë 10 vjeçare dhe se ky pezullim nuk mund të zbatohet gjeneralisht por vetëm në raste të caktuara, sikur që veprohet edhe për bizneset tjera. Vendimi për ndalimin e kohëzgjatjes mund të merret vetëm pas një vendimi të formës së prerë të gjykatës përkatëse e jo me vendim politik .
Deri më tani çështja e kazinove dhe lojërave të fatit nuk është trajtuar nga shteti dhe ligji por ka pasur mbrojtjen e shtetit duke e fituar statusin e pandëshkueshmërisë.
Mbyllja e këtij segmenti që me mbrojtje të shtetit është shndërruar në krim të organizuar me shumë përfitime vetëm sa do të krijojë një situatë kur nga një gjendje e ilegalitetit të lejuar (duke punuar pa licenca) do të kalojë në një ilegalitet ilegal që do të përshkallëzojë situatën e sigurisë duke pasur edhe më shumë viktima si dhe evazion fiskal për faktin se mbledhja e tatimeve dhe taksave do të ishte 0%. Nëse qeveria e krijon një ligj efikas që e rregullon këtë fushë do të kishim një situatë tjetër kur, duke i mbajtur nën kontrollë rreptësisht këto veprimtari, krimi do të ulej sikur edhe buxheti i Kosovës do të mbushej me taksa dhe tatime të painkasuara deri më tani.
E drejta e të bërit biznes dhe e drejta për punë janë të drejta të njeriut dhe askush nuk ka të drejtë dhe nuk mund të paragjykojë se cili biznes apo veprimtari mund ta rrisë shkallën e kriminalitetit. Dështimi i institucioneve të shtetit dhe moszbatimi efektiv i ligjit krijon kushte për rritje të shkallës së kriminalitetit dhe krimit të organizuar.
Ata që e propozojnë ligjin e ri për lojëra të fatit duhet të kenë parasysh të drejtat e njeriut dhe KMDLNj nuk mendon se pezullimi 10 vjeçar e zgjidhë problemin. Pezullimi 10 vjeçar është i kundërligjshëm sepse nuk kemi një vednim të gjykatës kompetente. Përkundrazi , vetëm sa do të shtohet numri i lokacioneve ilegale ku do të zhvillohet kjo veprimtari tash edhe pa kontrollë edhe simbolik të shtetit.
Ashpërsimi i politikës ndëshkuese përmes zbatimit efektiv dhe jodiskriminues të ligjit është e vetmja mënyrë që zgjidhë problemin e kazinove dhe lojërave të fatit. Çdo zgjidhje parciale apo kozmetike vetëm se e favorizon këtë, deri më tani aktivitet kriminal duke i dhënë konotacion dhe ngjyrime ekskluzivisht politike.