Është ndalur në rrugë një iniciativë për debat parlamentar rreth fazës finale të dialogut me Serbinë. Propozuesi nuk e di pse, por në Kuvend kanë treguar arsyet, shkruan sot Koha Ditore.
Takimi i parë i fazës përmbyllëse të dialogut, që synohet të shpallet i mbyllur me një marrëveshje ligjërisht obliguese, ka nisur të dielën me takimin e zhvilluar në Bruksel mes presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq.
Thaçi ka përfaqësuar Kosovën, ndonëse për këtë nuk ka marrë mandatin nga Kuvendi. Një projekt-rezolutë e sponsorizuar nga Qeveria, e që ia linte atij në dorë procesin, ishte tërhequr nga seanca plenare, pikërisht për shkak se ajo nuk mbështetej nga shumica parlamentare.
Debati në Kuvend për dialogun është kërkuar nga Komisioni parlamentar për punë të jashtme, forum ky që e kishte marrë në shqyrtim edhe projekt-rezolutën e Qeverisë.
Vjosa Osmani është deputete e subjektit kryesor në opozitë, LDK-së, dhe e drejton këtë Komision. Ajo ka shprehur pakënaqësinë për qasjen që legjislativi ka treguar në raport me rekomandimin e Komisionit të cilin e udhëheq.