Presidenti rus, Vladimir Putin përfaqëson një kërcënim më të madh për sigurinë botërore se sa grupi Shteti Islamik (ISIS), deklaroi senatori republikan amerikan, John McCain.
Ish-kandidati për presidencialet amerikane në vitin 2008, aktualisht për vizitë në Australi, vlerësoi se ndërhyrjet e dyshuara të Moskës në zgjedhjet e vendeve të tjera përbëjnë një rrezik për demokracinë.
“Besoj se Putini është kërcënimi i parë dhe kryesor, para ISS-it”, tha ai dje në mbrëmje për televizionin “Australian Broadcasting Corporation”.“Mendoj se ISIS-i mund të bëjë gjëra të tmerrshme (…) por janë rusët që përpiqen, që janë përpjekur, të shkatërrojnë themelet e vetë demokracisë dhe kryesisht janë përpjekur të ndryshojnë rezultatet elektorale amerikane”, shtoi senatori. “Nuk kam asnjë provë që kanë arritur, por ata janë përpjekur dhe vazhdojnë të përpiqen. Ata sapo u përpoqën të influencojnë rezultatet elektorale në Francë”, vazhdoi ai.“Pra e konsideroj Vladimir Putinin, që shpërbëri Ukrainën, një shtet sovran, që i bën presion vendeve Baltike, i konsideroj rusët si sfida më e madhe me të cilën jemi përballur”, theksoi McCain.
McCain, një nga kritikët më të ashpër të Donald Trump në partinë republikane, mbajti deklarata në një moment që Shtëpia e Bardhë është tronditur nga zbulime pa fund mbi çështjen ruse.