Shefi i UFC-së, Dana White ka bërë të ditur se ylli irlandez Conor McGregor është i përqendruar që në meçin e radhës të ndeshet me luftëtarin nga Dagestani, Khabib Nurmagomedov.
McGregor u rikthye në kafazin e UFC-së më 19 janar duke mposhtur brenda 40 sekondave amerikanin Donald Cerrone.
Ka pasur spekulime për kundërshtarin e radhës të McGregorit. Mirëpo, irlandezi është i vendosur që të ndeshet sërish me Nurmagomedovin. Përballja e parë mes tyre më 6 tetor të vitit 2018, përfundoi me fitore të Nurmagomedovit me ndërprerje në raundin e katërt. Pas luftës Nurmagomedov doli nga kafazi dhe nisi përleshjen me taborin e McGregorit. Pasuan përleshje të dy taborëve. UFC gjobiti dhe suspendoi të dy luftëtarët.
“Ai është i përqëndruar në Khabibin. Ai dëshiron të luftojë me Khabibin”, ka thënë White përcjell “BT Sport”.
Khabib më herët kishte thënë se nuk është i interesuar në një përballje të dytë me McGregorin.
UFC është seria më e madhe e Arteve Marciale të Përziera (MMA).