Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë për Ekonomia Online se janë në proces të konfiskimit të pronave të të dyshuarit për sulmin në Banjskë, Milan Radoiçiq, dhe ato pritet t’i jepen për shfrytëzim Policisë së Kosovës. Ndërsa deputetë, të pozitës e opozitës, kanë kërkuar që ky proces të përfundojë sa më shpejt dhe konfiskimi të bëhet me vendim të gjykatës.
Ministrja Haxhiu ka thënë se janë duke punuar që këto prona t’i barten Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Policisë së Kosovës.
“Tashmë, ju e dini që ka vendim për sekuestrim të asaj prone, ne po diskutojmë që të shohim mundësitë se si ta japim në shfrytëzim për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe besoj se shumë shpejt do ta kemi edhe rregullimin ligjor për këtë, sepse ju e dini që kur kemi prona të sekuestruara nuk është e lehtë për Ministrinë e Drejtësisë dhe nuk ka mundësi Ministria e Drejtësisë ato t’i jap në shfrytëzim. Ne bëjmë, japim në shfrytëzim banesa të cilat janë të konfiskuara apo pasuri tjera të luajtshme të cilat janë të konfiskuara mirëpo jemi në përpjekje që ta përmbyllim edhe këtë çështje dhe ta japim për nevojat e Policisë së Kosovës apo Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka thënë Haxhiu.
Por veprime sa më të shpejta ka kërkuar deputeti i pushtetit, Salih Zyba. Ai për Ekonomia Online, ka kërkuar që gjykata të japë verdikt final sa i përket pronave.
“Duhet të ketë sinjalizim, ose duhet të ketë vendime të shpejta për procedurën e shpejtë. Me pas, për verifikim dhe konfiskim ose për përfundim të procesit edhe të drejtësisë sepse kjo është krahas procesit të drejtësisë, për këtë akt që ka ndodh jo vetëm në rastin e Banjskës, por edhe për të vrarin nga ana e terroristëve ka përgjegjësi. Edhe te personi në fjalë, për të cilin konsiderohet që ende është potencial duke u bazuar edhe në deklarimet publike, jo vetëm të kryeministrit edhe të presidentes, por edhe përfshirë edhe deklarimet e kryetarit të Kuvendit për të cilin konsiderohet potencial ende, jo vetëm gjendja në asetet ekonomike por edhe sigurisë për çrregullim e destabilizim”, ka thënë Zyba.
Marrë parasysh, kërcënimin që vjen nga ana e mos-sekuestrimit të pronave e që sipas deputetit, nuk janë vetëm në spektrin ekonomik por edhe në përmasa më të gjëra që të shkaktojnë destabilizim, ka thënë se i duhet Ministrisë së Drejtësisë komunikim me ndërkombëtarët që të parandalohet një sulm i radhës, sikurse ai që ka ndodhur në Banjskë.
“Përmes Prokurorisë të procedohet në Gjykata të merren vendime sa më shpejt që të zvogëlohet potenciali dhe kapaciteti i tij për të vepruar ose për të përsëritur masën e njëjtë dhe njëherit organet tjera, sidomos Ministria e Drejtësisë të komunikojë me mekanizmin ndërkombëtar dhe krahas konfiskimit ose potencialit që ka, jo vetëm ekonomik por pavarësisht çfarë potenciali ka pasuria e tij të kthehet në një pamundësi për të përsëritur ajo në përmasa që ka qenë Banjska”, ka thënë Zyba.
Deputeti i VV-së është shprehur i pakënaqur me punën e deritanishme të Prokurorisë Speciale në raport me sekuestrimin e pronave, ndërsa ka kërkuar më shumë informacion për rrjedhjen e këtij procesi.
“Bazuar në informatat deri tashmë ose mungesën e informatave publike, konsiderojë që nuk është bërë mjaftueshëm nga Prokuroria dhe përgjigjen që do të merr populli se është edhe në emër të popullit vendimet e drejtësisë. Ashtu siç merren duhet minimum në këtë kohë të kemi një opinion publik se cili është procesi procedura apo drejt cilit proces po shkohet në vendimet e Gjykatës. Në këtë rast, Prokurorisë në fazën e hetimeve, konsideroj që një vendim ose një informim për publikun duhet të jetë më së i duhuri nëse i drejtoheni me pyetje nëse jo në të kundërtën shfrytëzojnë këtë diskutim me ne se Prokuroria duhet të jap një verdikt për masat deri tash dhe procesi siç e thash vazhdon më tutje”, ka thënë deputeti Zyba për EO.
Kurse, avokati Ardian Bajraktari ka thënë se pjesa më e madhe e pasurisë së kryekriminelit janë sekuestruar, ndërsa çka ka mbetur pa sekuestruar janë vetura dhe të ngjashme.
“Duhet thënë së si rezultat i punës së organeve ligjzbatuese me theks të veçantë Prokurorisë e mbështetur nga Policia dhe vendimeve të Gjykatave, tashmë pjesa dërmuese e pasurive të kryekriminelit Radoiçiq dhe të tjerave janë të sekuestruara me vendim të Gjykatës që nënkupton se aktualisht janë nën administrim të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar apo të sekuestruar dhe kur jemi te sekuestrimi nënkupton që është masë e përkohshme merret me vendim përkatësisht urdhër-ndalues përfundimtar të Gjykatës në pritje të epilogut përfundimtar të procesit dhe varësisht prej epilogut në rast se i njëjti shpallet fajtor atëherë natyrisht se e gjithë pasuria e cila duhet të përshkruhet në aktakuzë konfiskohet”, ka thënë Bajraktari.
“Përkatësisht, roli i Ministrisë së Drejtësisë është vetëm në administrimin e pasurisë përkatësisht zbatimin e vendimit të Gjykatës dhe e thashë aktualisht pjesën dërmuese të pasurisë përfshirë villen dhe prona tjera janë në masën e sekuestrimit kurse një pjesë tjetër e vogël e pasurisë përfshirë vetura dhe të ngjashme që i nënshtrohen konfiskimit automatik, sipas dispozitave të kodit të procedurës penale ato tashmë janë konfiskuar dhe në krye të kësaj mund të adresohen për përdorim për organe varësisht nga vlerësimi që i bëhet nga organet përgjegjëse”, shton ai.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë për Ekonomia Online se mungesën e një vendimi final sa i përket pronave në veri të vendit e sheh më shumë si një vendim politik për të siguruar vota të qytetarëve para zgjedhjeve nga ana e Qeverisë.
“Sa i përket pronave të Radoiçiqit do të thotë se Qeveria e Kosovës mirë është që mendon ta luftojë krimin e organizuar dhe që t’i trajtojë pronat që nuk janë të ligjshme në këtë rast edhe me kriminelin Radoiçiq por ja që deri më tani nuk kemi pa ndonjë vendim të qeverisë më tepër po e bën për vendime politike ad-hoc dhe që mendon që ë fitojë në votë po jo që të ushtrojë të drejtën e vendimeve dhe ta tjetërsojë atë pronë”, ka thënë Lekaj.
Ai shton se mungesa po ashtu edhe të një aktakuze lidhur me këtë rast është një spektakël elektoral i Qeverisë dhe më shumë si trajtim politik së sa ligjor.
“Ju e dini që çfarë veprim ka bë Radoiçiq me kriminelët tjerë që kanë dashtë me e aneksu veriun e Kosovës dhe deri më sot nuk ka asnjë aktakuzë, nuk ka asnjë veprim dhe mendoj që kjo qeveri po e mashtron qytetarin e Kosovës dhe vetëm sa po bën spektakël më tepër elektoral së sa vendime që duhet të merren. Mendoj se më tepër është trajtim politik së sa ligjorë të veprimit dhe të drejtës kushtetuese apo ligjore që të veprojë Qeveria”, ka thënë Lekaj për Ekonomia Online.
Ndryshe, veriu i Kosovës edhe më tutje mbetet pjesa më e ndjeshme e Republikës së Kosovës nga aspekti i Sigurisë si dhe Serbia mbetet edhe më tutje kërcënuesi serioz i sigurisë nacionale dhe më gjerë.