MD-ja propozon konfiskimin e pasurisë së paligjshme pa aktgjykim dënues

Prishtinë | 28 Maj 2020 | 08:14 | Nga Ekonomia Online

Prej tri opsioneve të dhëna në koncept-dokumentin për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë tё pajustifikueshme, Ministria e Drejtësisë (MD) e ka favorizuar opsionin e tretë – hartimin e një ligji të ri, i cili do të mundësonte konfiskimin saj pa një aktgjykim dënues.

Në koncept-dokumentin që ka dalë në konsultim publik të mërkurën janë dhënë edhe dy opsione të tjera, ai i status quos që të mos ndryshohet asgjë, si dhe opsioni i përmirësimit të kornizës ligjore aktuale. Por që të dyja, sipas koncept-dokumentit nuk do të sillnin ndryshime në këtë fushë.

Njëra prej arsyeve të mbështetjes së opsionit ku pasuria e paligjshme konfiskohet pa aktgjykim dënues, është se praktika e deritashme ka dështuar dhe se vlera përfundimtare e konfiskimit është e vogël. Janë dhënë edhe shifrat për pasurinë e sekuestruar dhe të konfiskuar, ku në gjashtë vjetët e fundit thuhet se vlera e ngrirjeve dhe sekuestrimeve kap shumën prej 180 milionë eurosh, përderisa vlera e konfiskimeve përfundimtare bie në vetëm 3.5 milionë euro. Deri më tani, bazuar në legjislacionin në fuqi, konfiskimi i pasurisë është bërë vetëm nëse ka pasur aktgjykim të formës së prerë.

Opsioni i tretë, përmes miratimit të një ligji të ri i cili parasheh konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme në procedurë civile. Kjo theksohet se do të bëhej krahas prezantimit të një standardi më të ulët të të provuarit sa i përket konfiskimit të pasurisë pa aktgjykim dënues.

“Sikurse të adoptohet opsioni i tretë dhe të procedohet me miratimin e një ligji të ri i cili mundëson konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme në mungesë të një aktgjykimi dënues, Kosova nuk do të jetë shteti i parë as në rajon e lëre më në Evropë që ndërmerr një veprim të tillë”, thuhet në koncept-dokument.

Sa u përket dilemave se a duhet të shfuqizohet Ligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë me miratimin e ligjit në fjalë, në dokument theksohet se këto dy ligje do të vepronin ndaras dhe paralel me njëri-tjetrin. Kjo, pasi thuhet se konfiskimi civil “do të shërbejë si armë e fundit dhe nuk do të përvetësojë, në parim, primatin e konfiskimit tradicional penal”.

Koncept-dokumenti flet për dy modele të konfiskimit civil.

Modeli i parë i konfiskimit civil thuhet se targeton pasurinë me origjinë të paligjshme, model ky i njohur në zhargonin juridik si konfiskimi in rem.

“Sipas këtij modeli, në rastet kur prokurori apo organet e tjera të autorizuara kanë dyshime se pasuria e personave të caktuar është fituar përmes veprimtarisë joligjore, atëherë ata mund të bëjnë kërkesë për konfiskimin e pasurisë edhe në rastet kur ndaj personave të tillë nuk ekziston një aktgjykim dënues”, thuhet në koncept-dokument. Pra, sipas këtij modeli thuhet se lejohet konfiskimi i pasurisë me origjinë joligjore, edhe pse nuk është dëshmuar paraprakisht se është kryer vepra penale përmes së cilës është përfituar ajo pasuri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme