Ministria e Drejtësisë ka thënë se Ben Emmerson, avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nuk është larguar nga ekipi i mbrojtjes së njërit nga krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për shkak të pagesave, derisa ka treguar edhe shumën e të hollave që deri më tani kanë paguar ndaj tij për mbrojtjen e Veselit.
Ky reagim i Ministrisë së Drejtësisë ka ardhur vetëm pak orë, pas raportimeve se Emmerson është larguar nga ekipi mbrojtës i Veselit për shkak të mungesës së fondeve.
“Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës përmes këtij reagimi demanton lajmet e pabaza dhe tendencioze që po përhapen rreth pagesave për avokatët e angazhuar në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së pranë Dhomave të Specializuara në Hagë”, thuhet fillimisht në reagim.
Për sqarim të opinionit publik, deri më tani, Ministria e Drejtësisë ka theksuar se ka paguar një shumë totale prej 26,179,562 eurosh (njëzet e gjashtë milion e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy euro) për mbrojtjen e personave që po mbahen në paraburgim.
“Pretendimet se Ministria nuk po i paguan mjaftueshëm avokatët janë krejtësisht të pavërteta”.
Personat që tërhiqen nga detyra e tyre mund të gjejnë justifikime të ndryshme, por, sipas mistrisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu, “pagesa e ulët nuk është një prej tyre”.
“Avokati Ben Emmerson, i cili përfaqëson z. Kadri Veseli, ka përfituar nga Ministria e Drejtësisë një shumë prej 4,019,724.91 euro (katër milion e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e njëzet e katër euro e nëntëdhjetë e një cent)”, thuhet tutje.
Nga ky dikaster kanë potencuar se janë duke vazhduar të punojnë “me profesionalizëm brenda kompetencave dhe kapaciteteve të saj, për të përmbushur të gjitha kërkesat e mbrojtjes për të gjithë ata që padrejtësisht po gjykohen nga Gjykata Speciale”.
Për më tepër, kanë shtuar se MD me vëmendje të veçantë përcjell çdo veprim brenda Gjykatës Speciale dhe “është e përkushtuar të bëjë punën më të mirë të mundshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e ish-krerëve të UÇK-së, duke u siguruar që ata të kenë mbështetje të plotë në çdo hap të këtij procesi”.
Gjykata Speciale, me seli në Hagë të Holandës, ka njoftuar të mërkurën se e ka miratuar kërkesën e avokatit Ben Emmerson, për tërheqje nga ekipi i mbrojtjes i ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili po akuzohet nga Specialja për krime të pretenduara lufte.
“Më 21 gusht 2024, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët miratoi përfundimin e përfaqësimit ligjor të Kadri Veselit nga mbrojtësi Ben Emmerson”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK).
Aty theksohet se Veseli dhe Emmerson u pajtuan me këtë vendim, duke bërë që Trupi Gjykues të aprovojë përfundimin e përfaqësimit ligjor për arsye të vlefshme.
“Gjithashtu, Trupi Gjykues u bind se do të sigurohet vazhdimësia e përfaqësimit të Veselit dhe se ndryshimi i kryembrojtësit nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor”.
Bëhet me dije se vendimi do të hyjë në fuqi pasi të caktohet kryembrojtësi i ri dhe Administratorja e DHSK-së ftohet të marrë të gjitha masat e nevojshme sa më shpejt që të jetë e realizueshme.
Emmerson e ka mbrojtur edhe ish-Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në fund u lirua nga çdo akuzë për krime lufte.