Më 2 prill paralajmërohet grevë në sistemin arsimor – Jasharaj: Ministrat e Kurtit as që na takuan, me muaj kërkuam përgjigje

Prishtinë | 28 Mar 2022 | 12:34 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Më 2 prill Kongresi i SBASHK-ut, mund të marrë vendim për grevë të përgjithshme në tërë sistemin arsimor duke filluar nga çerdhet e deri tek universitet, në rast se Qeveria e Kosovës nuk ua plotëson kërkesat punëtorëve të arsimit.

Kështu ka thënë për Ekonomia Online, kryetari i Sindikatës së Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj.

Ai ka thënë se pavarësisht përpjekjeve për të biseduar me ministrat e Qeverisë Kurti për kërkesat e tyre, ata nuk po marrin përgjigje. Jasharaj njoftoi se letër i kanë dërguar edhe kryeparlamentarit Galuk Konjufca e presidentes Vjosa Osmani, por që ende nuk kanë marrë përgjigje.

“Ne duke u përpjekur që të bëjmë zgjidhje pa shkuar në grevë mbrëmë në orët e vona kishim një takim konsultativ me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve dhe raportuan për gjendjen që e kemi e cila është fatkeqësisht fortë e keqe ngase po mungon në tërësi gatishmëria e institucioneve duke filluar nga Kryeministri Kurti, pastaj Ministri Sveçla, Ministri Murati po pse jo kohëve të fundit po mungon kjo gatishmëri edhe nga Ministrja Nagavci që të ulemi dhe të bisedojmë për dy çështje kyçe të cilat vërtetë mund ta dërgojnë SBASHK-un në grevë”.

“Çështja e parë është Ligji i Pagave për të cilin dimë shumë pak të mos themi asgjë. versioni që doli në publik atëherë u mohua nga Qeveria duke thënë se nuk është i tyre por marsi ka qenë sipas marrëveshjes nga takimi i 30 nëntorit me Ministrin Sveçla ka qenë muaji kur do të ulet ministri dhe komisioni i tij me sindikatat. Kjo nuk ka ndodhur, ne për ti dhënë hapësirë edhe pak gjatë kësaj jave sepse me 2 prill është kongresi i kemi dërguar të premten e kaluar një letër lutje Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Kryetarit të Parlamentit duke i lutur ata që të ndërmjetësojnë, të angazhohen që të hapet dera e dialogut, që të ndikojnë me autoritetin e tyre në ministrat që i përmenda”.

“Me dëshirën e vetme që këtë javë të ulemi dhe të bisedojmë e të gjejmë zgjidhje edhe për versionin tonë të Ligjit të Pagave po aq më shumë për atë kërkesën tonë modeste që për shkak të ngritjes së tmerrshme të çmimeve i tërë sistemi arsimor që nga çerdhet deri në universitet dhe sektori i kulturës që është pjesë e jona të ketë një mbështetje 100 euro në pagë për ti përballuar më lehtë gjithë këto  rritje të  çmimeve”, tha Jasharaj.

Jasharaj paralajmëron se nëse nuk do të marrin përgjigje deri më 2 prill, do të shkojnë në grevë të përgjithshme me kohë të pacaktuar.

“Jemi në flugën e përgatitjes së kongresit. Kongresi do të jetë me dy prill dhe aty do të jenë delegatët që përfaqësojnë tërë sistemin arsimor, çerdhet, arsimin parauniversitar, universitetet por kemi delegatë edhe nga shumë institucione të kulturës. Nëse situata mbetet kjo që është tani, këta delegatë të shtyrë nga zëri i anëtarësisë do të sjellin vendim për veprime sindikale. Cilat do të jenë ato, unë sot nuk mund të flas konkretisht. Por, frika ime e madhe është se mund të shkojnë drejt një greve të përgjithshme e cila nënkupton se çerdhet, filloret, shkollat e mesme, universiteti po edhe shumë institucione të kulturës do të jenë në grevë që nënkupton një grevë të përgjithshme me afat të pacaktuar deri sa Qeveria nuk ulet me ne e nuk bënë zgjidhje për këto dy kërkesa që i kemi bërë publike”, tha Jasharaj raporton EO.

E për këtë, kryetari i SBASHK-ut thotë se e ka fajin vetëm Qeveria Kurti me ministrat e tij.

“Nëse institucionet e arsimit shkojnë në grevë, fajtori i vetëm është Qeveria Kurti me ministrat e tij, ngase jo që nuk u angazhuan për zgjedhje por as nuk gjetën kohë të takohen as me SBASHk-un e as me sindikatat e tjera. Ne po presim shumë nga presidentja dhe zoti Glauk që ata me autoritetin e tyre të ndikojnë mbase që këtë javë të ulemi e të bisedojmë  e të gjejnë zgjedhje”.

“Asnjë përgjigje nuk kemi dhe kam frikë që Qeveria do ta merr përgjigjen me 2 prill kur kongresi do të vendos për grevë, një gjë të cilën nuk e kemi dëshiruar por kemi muaj të tërë që i ftojmë, muaj të tërë që dërgojmë shkresa dhe përgjigjja e tyre po mungon”, tha ai.

Të ngjashme