“Më bullizonte”, ky është polici i ri që vrau me 7 plumba kolegun e tij që shërbente tash e 30 vite në polici

Prishtinë | 24 Maj 2022 | 09:03 | Nga Ekonomia Online

Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmë në Shqipëri, ku një punonjës i policisë, u vra brenda komisariatit numër 3 në Tiranë, duke u qëlluar 7 herë nga kolegu i tij, pas një sherri të çastit mes tyre.

Sipas mediave shqiptare, autori i kësaj ngjarje është efektivi Ludian Zaimi, i cili prej pak më shumë se një viti ishte në radhët e policisë së shtetit, ndërkohë që viktima Caush Saliasi, hynte në radhët e veteranëve, pasi kishte afro 30 vite nën uniformë. Së fundi Saliasi ishte në prag pensioni.

Dyshimet e para janë se arsyeja e acarimit të të riut ishte se viktima e bullizonte prej kohësh. Ai fillimisht e ka qëlluar tre herë, më pas ka hyrë në komisariat dhe e ka qëlluar edhe tre herë të tjera duke e lënë të plagosur rëndë.

Pavarësisht se ngjarja u zhvillua në sy të kolegëve të tjerë të komisariatit numër 3, asnjë prej tyre nuk arriti që të neutralizonte policin e ri në moshë, që të mos i merrte jetën Saliasit.

Ky i fundit u dërgua fillimisht drejt spitalit, po nuk mundi që ti mbijetojë plagëve të marra.

“Më ofendonte, i kisha akumuluar të gjitha”, raportohet të ketë thënë Zaimi, ndërkohë që ngjarja kërkon një reflektim urgjent për mënyrën e rekrutimit të efektivëve në radhët e policisë.

Po dje një tjetër ngjarje me protagonistë efektivë policie ndodhi në zonën e Kombinatit, ku një efektiv i FNSH qëlloi me armë zjarri në këmbë një qytetar. Pas shoqërimit punonjësi i policisë rezultoi që të ishte i dehur.

Të ngjashme