Me kërkesë të avokatit, anulohet seanca ndaj ish-zyrtarëve të Aeroportit të akuzuar për korrupsion

Prishtinë | 17 Kor 2024 | 14:05 | Nga Ekonomia Online

Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Bahri Nuredini, avokatit Agron Selimaj, është anuluar seanca e së mërkurës në rastin ku Nuredini së bashku me Driton Mehajn, në cilësinë e ish-zyrtarëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, po akuzohen për korrupsion.

Nga zyra e kryetarit të trupit gjykues, Kujtim Krasniqi kanë njoftuar se avokati Selimaj ka bërë kërkesë që seanca e sotme të shtyhet pasi i mbrojturi i tij Nuredini nuk mund të jetë i pranishëm në seancë për arsye personale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nga zyra e gjykatësit Krasniqi bënë të ditur se palët janë njoftuar me kohë për anulimin e kësaj seance, ndërsa e radhës pritet të mbahet në shtator.

Sipas aktit akuzues, Nuredini në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Mehaj në cilësinë e Menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA, akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim paraprak të Komitetit Drejtues Ndërministror (KDNM), kanë iniciuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit, ashtu që më 8 dhe 9 shtator, përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International” Sh.P.K., me vlerë të përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.

Të njëjtit, me këto veprime, thuhet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik në lartësi prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro.

Të ngjashme