Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ka shqyrtuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative, raporton Ekonomia Online.
Ndryshimet nuk u proceduan pasi opozita nuk mori pjesë në votim, duke shtyrë votimin për mbledhjen e radhës.
Nga pozita u tha se ky ligj do të ndikojë në zbatimin e ligjeve të cilët sipas tyre nuk janë zbatuar.
Ndërsa opozita e kundërshtoi shkaku i formës sesi ka ardhur në Komision dhe mungesën e ministrit për ta prezantuar këtë Projektligj.
Kryetari i Komisionit, Valon Ramadani, tha se me këtë ligj janë parapa 43 ligje të plotësohen dhe të ndryshohen.
Deputeti i PDK, Mërgim Lushtaku, tha se në këtë mbledhje është dashur të jetë ministri për ta prezantuar këtë ligj.
“Po besoj se është dashur të jetë Qeveria në prezantimin e këtyre ligjeve. Në përgjithësi formën sesi po i ndryshoni këto ligje është e gabuar dhe nuk kontribuon në implementimin e këtyre ligjeve. Sigurisht që jemi për harmonizimin e këtij ligji por jo në formën sesi është ardhur në Komision”, tha Lushtaku.
Por kryetari i këtij Komisioni, Valon Ramadani, tha se shkaku i agjendës së ngjeshur të ministrit, ishte e pamundur të jetë në këtë mbledhje.
“Ministri nuk mund të marrë pjesë për shkak të agjendës dhe këtë javë sipas tij do të jetë jashtë vendit dhe në Kuvend do ta ketë të drejtën ta mbrojë vetë ministri dhe aty do të mund të bëjmë pyetje”, tha Ramadani.
Për mënyrën sesi ka ardhur në Komision, nuk po pajtohet deputeti i LDK-së, Agim Veliu, raporton EO.
“Po e shoh se është fjala për harmonizim me 40 ligje me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative dhe unë e mbështesë çdo nismë për shkak se nuk po jenë të zbatueshme. Por jam kundër kësaj forme të kësaj metode sepse këto ligje nuk janë të njëjtës fushë dhe të njëjtës natyrë. Mënyra sesi po trajtohet unë nuk e mbështesë”, tha Veliu.