Me moton “Ne kështu lëvizim”, shënohet dita e përdoruesve të karrocës

Prishtinë | 29 Shk 2020 | 17:31 | Nga Ekonomia Online

Infrastruktura në kryeqytet vazhdon të jetë joadekuate për përdoruesit e karrocës. Ata thonë se janë bërë përmirësime në disa linja të autobusëve dhe në trotuare, por jo në të gjitha. E mungesa e infrastrukturës shpeshherë ata i vë në mëdyshje që të dalin për një shëtitje.

Leonora Gashi, e cila është përdoruese e karrocës, tregon se si e fillon ditën. Thotë se kur është koha e mirë del për shëtitje me familje, në të kundërtën qëndron në shtëpi.

Ajo tregon se është detyruar që t’i lërë mësimet për shkak të gjendjes së saj.

Ajo thotë se një ditë në javë e kalon në objektin e “Handikosit”, që për të është si shtëpi e dytë.

Ajo thotë se në këto vitet e fundit është ngritur vetëdija për përdoruesit e karrocës.

Me moton “Ne kështu lëvizim”, do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocës, të dielën, për të dytin vit radhazi, raporton KTV.

Afrim Maliqi, themelues i shoqatës Handikos, ka thënë se ky aktivitet ka për qëllim të tregojë rëndësinë e të kuptuarit dhe ndikimin pozitiv të posedimit të pajisjeve ndihmëse.

Ai thotë se personat të cilët gjenden në karrocë janë të margjinalizuar dhe nuk janë të përfshirë në jetën sociale e politike.

Ai ka thënë se nuk kanë statistika të sakta se sa persona me aftësi të kufizuara ka në Kosovë.

Sipas tij, çdo objekt që ndërtohet duhet t’i përmbushë kriteret për qasje për persona me aftësi të kufizuara.

E të dielën, përveç marshit, do të organizohet edhe një lojë e basketbollit në karroca si dhe do të realizohet një vallëzim me të gjithë personat në karrocë, nën moton “Ne kështu lëvizim”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme