Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe AgroKosova Holding të hënën kanë organizuar eventin “Vjelja e Rrushit Kosova 2021” me moto: “Unë konsumoj produkte vendore, Po JU?”, raporton Ekonomia Online.
Ky event mblodhi kultivues të rrushit, kryetarin e tanishëm të Suharekës Bali Muharremaj dhe kandidatë të partive tjera e poashtu përfaqësues të bizneseve lokale.
Në një fjalë rast kryetari i AKB-së, Agim Shahini tha se ky tashmë është një event tradicional duke u uruar të gjithëve këtë ditë.
Sipas tij, kjo është fryma e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe bizneseve.
“Vjelja e rrushit 2021 do vazhdojë gjatë tërë kohës të kultivoj këtë kulturë dhe të manifestojmë këtë ditë. Kjo është fryma e bashkëpunimit në mes të institucioneve dhe bizneseve”, tha Shahini.
Pronari i AgroKosova Holding, Haziz Tafaj, ka falënderuar pjesëmarrësit e këtij manifesiti, AKB-në dhe komunë për mbështetjen e vazhdueshme, raporton EO.
“Falënderoj të gjithë kandidatët e partive që janë sot këtu. Manifestimi i sotëm tashmë është tradicional, i cili po ndikon në kultivimin e rrushit dhe prodhimin e verës. Kjo është Suhareka, dhe këta jemi ne qytetarët e Suharekës”, tha ai.