Shahini: Prodhuesit vendës me çmime promocionale, nuk po keqpërdorin situatën me bllokimin e mallrave nga Serbia

Prishtinë | 24 Qer 2023 | 11:53 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka vizituar kompaninë “Viva Fresh Store”, për të parë nga afër çmimet promocionale të produkteve esenciale për konsumatorët kosovarë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i AKB, Agim Shahini, tha se bizneset janë duke dëgjuar thirrjet e AKB-së e të institucioneve shtetërore që të mos keqpërdorin situatën me bllokimin e mallrave nga Serbia për shtrenjtimin e çmimeve të prodhimeve kosovare dhe të tjera.

“Sot AKB po bënë një vizitë në Viva Fresh Store për shkak se kemi parë që ka çmime të lira. Kemi ardhur që të vërtetojmë se a është e vërtet kjo dhe a mund të furnizohen qytetarët e vendit”.

“Ne kemi bërë ftesë ditë më herët bizneseve të Kosovës, sidomos bizneseve të mëdha që e furnizojnë popullatën të mos e keqpërdorin popullatën në momente e caktuara, për shkak të suspendimit të importeve nga Serbia dhe kjo është një dëshmi e mirë se prodhuesit vendorë po japin çmime promocionale. Për dy arsye: Njëra se duan që të mbesin besnikë ndaj konsumatorëve dhe tjetra është festa e Bajramit”, deklaroi Shahini.

“I falënderojmë prodhuesit dhe tregtarë që në këtë situatë janë me konsumatorin”, theksoi ai.

Sipas kreut të AKB-së, çmimet në Kosovë janë më të lira sesa në çdo vend të Ballkanit e Evropës.

Ai po ashtu bëri thirrje që konsumatorët të konsumojnë produkte vendore.

“Këto çmime që jemi duke i parë nuk ekzistojnë në Ballkan as në Evropë. Kjo është aftësia e bizneseve tonë, afaristëve tanë që ata në situata të caktuara jo që japin çmime promocionale, por japin çmime me humbje në situatë të vështirë”.

“Konsumatorët kosovarë duhet të konsumojnë prodhime vendi në prag të festës së Bajramit duhet që ta mbështesin ekonominë vendore e cila është shtylla e zhvillimit ekonomik”, tha ai.

Të ngjashme