Abidin Gavazaj kishte planifikuar që si çdo vit edhe sivjet të vinte në Kosovë për të kaluar pushimet verore.
Ai jeton në Salzburg të Austrisë dhe së bashku me familjen planifikonte që të vazhdonte punimet në ndërtimin e një shtëpie në Prizren, që është qyteti i tij i lindjes.
Por, shfaqja e pandemisë së koronavirusit të ri ka bërë që Abidini të pezullojë çdo investim të cilin ai e kishte planifikuar ta bënte këtë vit në Kosovë.
“Kam filluar para një kohë që të ndërtojë një shtëpi dhe tash mungesa fizike në Kosovë po na kufizon shumë investimin, por edhe ndërtimin atje. Shumica e firmave ose e ndërmarrësve nuk kanë gatishmërinë pa qenë prezent edhe pronari i shtëpisë, që të kryejnë punimet. Mungesa jonë fizike normal që i anulon të gjitha investimet dhe tash duhet të presim deri në një afat të ardhshëm”, thotë Gavazaj.
Abidini punon si kryeteknik në një nga spitalet e Salzburgut ndërsa gruaja i punon si motër medicinale.
Edhe në rast se hapen kufijtë dhe kalon situata me pandeminë, Abidini thotë se shumë organizata shtetërore në Austri kanë anuluar pushimet për një afat të pacaktuar.
“Mundësia që të vijmë sivjet në Kosovë mendoj se në 80 për qind të rasteve është e pamundshme, për vet faktin se në alarm janë të gjitha institucionet këtu, sidomos ato shëndetësore ku edhe punoj vet. Që të vijmë në Kosovë ne kemi shumë barriera për të arritur deri atje. Pushimet ne i planifikojmë në fillim të vitit për gjithë vitin dhe shumica e institucioneve këtu i kanë anuluar pushimet”, thotë Gavazaj.
Vendet evropiane kanë filluar hapjen e kufijve, por ende mbetet e paqartë se kur mund të ketë qarkullim të lirë të qytetarëve.
Sipas autoriteteve në Prishtinë, personat që duan të udhëtojnë përmes rrugëve tokësore nga vendet evropiane për në Kosovë, duhet të pajisen me një leje të posaçme të kalimit nga shtetet respektive.
Kjo situatë pritet të ndikojë te shumë mërgimtarë që të anulojnë ardhjen në Kosovë.
Pamundësia e ardhjes së tyre parashihet që të shkaktojë pasoja për ekonominë e Kosovës.
Sa më shumë që zgjat pandemia aq më pak para të diasporës në Kosovë
Lirim Krasniqi nga organizata “Germin”, që merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë për Radion Evropa e Lirë se rënia e vlerës së remitencave parashihet të jetë prej 10 deri në 15 për qind.
Kjo sipas Krasniqit pritet të ndodhë për shkak se vendet në të cilat është e koncentruar diaspora kosovare janë më të prekurat nga pandemia e koronavirusit të ri.
“Sipas Bankës Qendrore ne kemi pasur diku rreth dy miliardë të hyra nga diaspora. Në këtë shifër përfshihen edhe dërgesat financiare, mirëpo edhe shpenzimet që bëjnë ata që vijnë në Kosovë dhe kjo shumë përbën diku rreth 22 deri 25 për qind të GDP-së së Kosovës. Nëse e vlerësojmë se do të ketë një rënie prej 10 deri në 15 për qind nga kjo shumë, atëherë i bie që Kosova minimalisht do të ketë 200 milionë euro më pak të hyra këtë vit si pasojë e krizës së shkaktuar nga COVID-19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi i ri] edhe si pasojë e uljes së remitencave në njërën anë, mirëpo dhe e kufizimeve dhe rënies së vizitave të diasporës që do të shohim këtë vit”, thotë Krasniqi.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, vlera që diaspora kosovare kontribuon në ekonominë kosovare është 1.8 miliard euro. Kjo përfshinë dërgimin e parave përmes bankave si dhe ato që sjellin kesh.
Dërgesat e remitencave kanë pasur rritje të vazhdueshme që nga viti 2014.
Në vitin 2014 vlera e remitencave ishte 622 milionë euro, ndërsa në vitin 2019 ishte më 851.5 milionë.
Pandemia ka prekur financiarisht edhe diasporën
Paratë që kanë ardhur nga diaspora në Kosovë në 20 vjetët e fundit kanë qenë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës.
Vlera e parave që diaspora ka dërguar në Kosovë vetëm në tremujorin e parë të këtij viti është 190 milionë euro.
Përveç remitencave, ekonomia e Kosovës ka përfituar miliona euro shtesë nga diaspora gjatë sezonit të verës sidomos për shkak të investimeve në patundshmëri dhe shpenzimet që diaspora i ka bërë për organizmin e ahengjeve familjare.
Në Odën Ekonomike të Kosovës parashohin rënie të remitencave dhe investimeve të diasporës shkaku i pandemisë së koronavirusit.
Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se vet mërgimtarët janë prekur financiarisht nga situata e krijuar nga pandemia.
“Pritjet janë që këtë vit të ketë më pak remitenca, qoftë në formë të transfereve të parave, për shkak se një pjesë e diasporës është prekur nga pandemia ose rënia e të hyrave si pasojë e pandemisë dhe në anën tjetër një pjesë tjetër që zakonisht ka ardhur në vizitë këtu në vend, këtë vit nuk do të jetë prezentë,” thotë ai.
Rukiqi thotë se mungesa e mërgimtarëve do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në rënien e fuqisë blerëse.
“Efekti i drejtpërdrejt i diasporës është në fuqinë blerëse. Kjo do të ndikojë në rënien e konsumit në vend në një anë, por në anën tjetër mërgimtarët kanë qenë edhe investues në patundshmëri, pra këtë vit sigurisht edhe në këtë pjesë ose komponentë të ekonomisë do të ketë ndikimin e vet”, thotë Rukiqi.
Sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës personat që jetojnë jashtë Kosovës janë rreth 0.7 deri në 0.8 milion banorë. Ata jetojnë kryesisht në vendet e Evropës Perëndimore.
Përveç rënies së remitencave dhe rënies së investimeve nga diaspora, Banka Botërore parasheh rënie të madhe për ekonominë e Kosovës.
Si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit të ri, Banka Botërore parashikon që ekonomia e Kosovës të pësojë rënie prej 4,5 për qind në vitin 2020, e që do të pasohet me rikthim në rritje në vitin 2021.
Sipas Bankës Botërore, shpërthimi i COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi i ri] dhe masat e nevojshme të frenimit, janë duke shkaktuar presion të paparë për investimet, konsumin privat, por edhe për eksportet dhe remitencat nga diaspora.