Më pak se 10 për qind të të gjitha rasteve pozitive me COVID-19 të regjistruara deri tash në Kosovë, janë raste aktive. Saktësisht 5164 është numri i rasteve aktive me koronavirus në Kosovë, nga 55 mijë e 135 rastet e regjistruara deri tash, sipas të dhënave të së premtes së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë.
Pavarësisht kësaj shifre, autoritetet në Kosovë konsiderojnë se situata është qetësuar pas një vale me rritje të rasteve të reja pozitive. Pas njoftimit për lehtësim të masave, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se “me situatën aktuale Kosova rangohet me numrin më të vogël të vendeve për numrin e të infektuarve, por edhe të vdekjeve”.
Në anën tjetër, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, ka thënë se situata është e qetë ditëve të fundit, me rritje të rasteve të të shëruarve e rënie të rasteve të reja pozitive.
1399 persona nga mbi 55 mijë rastet kanë humbur betejën me COVID-19. Në përqindje kjo përkthehet në 2.5 për qind të rasteve totale. Nga mbi 55 mijë rastet e regjistruara deri tash, 88 për qind e tyre janë shëruar, apo 48 mijë e 572. Kosova nga marsi ka kryer 205 mijë e 352 teste.