Drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, ka shprehur pakënaqësinë për atë që e ka quajtur financim indirekt të konkurrencës me para të Telekomit të Kosovës.
Mustafa ka thënë se deri më tani, Vala i ka dhënë buxheti plot 480 milionë euro. Pavarësisht kësaj, disa ministri dhe organizata buxhetore që financohen nga buxheti, përdorin shërbime të konkurrencës.
Reagimi i plotë i Agron Mustafës në rrjetin social Facebook:
480 milionë euro dividentë për Aksionarin deri më sot!
Po, e vërtetë! Sot në mëngjes, ne Drejtorët Menaxhues së bashku me Kryesuesit e Bordeve të Ndërmarrjeve Publike përkatëse, ishim në takim me Kryeministrin Mustafa, Ministrin Stavileci dhe Zv.ministreshën Zogaj, si vazhdimësi e takimeve të tilla edhe më parë.
Ishte një takim shumë konstruktiv nga të dy palët dhe mbi të gjitha, ne patëm rastin të diskutojmë rrjedhën e biznesit së bashku me problemet dhe vështirësitë që përballemi në ushtrimin e aktiviteve tona ditore afariste.
Unë ritheksova edhe një herë paradoksin që ekziston tashmë, për të cilin paradoks prej mëse një viti e gjysëm flas dhe e potencoj publikisht, paradoks i cili ka të bëjë me kontributin e madh të Telekomit të Kosovës ndër vite në buxhetin e Republikës sonë, dhe jo vetëm!
480 milionë euro nga viti 2008 gjer në vitin 2015 janë dhënë në emër të dividentës nga Telekomi i Kosovës drejt Aksionarit, përderisa jo pak insitutucione publike të vendit tonë, shërbehen me produktet e konkurencës sonë, që në mënyre indirekte i bie që Telekomi i Kosovës financon apo subvencionon konkurentin e vet.
Ky është paradoksi për të cilin tashmë po flas (‘protestoj’) pothuajse gati dy vite.
Andaj, sot nuk kishte “ngrehje veshi” por konstruktivitet dhe bashkërendim të punëve dhe aktiviteteve të mëtutjeshme në mes nesh dhe Kryeministrit Mustafa, Ministrit Stavileci dhe vartësve të tij.