Agjencia europiane për mbrojtjen e kufirit, Frontex, duhet të zgjerohet, por vendet anëtare e frenojnë punën. Reforma e politikës së migracionit mbetet e mundimshme, mendon Bernd Riegert.
Parlamenti Europian në takimin e fundit, para zgjedhjeve europiane të majit, bëri një bilanc të real për gjendjen e migrantëve dhe refugjatëve, që erdhën katër vjet më parë në BE. “Situata për shumë migrantë është ende tragjike”, tha deputetja britanike Julie Ward, e cila punon vetë me organizatat humanitare në Francë. Ata jetojnë në kushte jonjerëzore, tha ajo në Strazburg. “Në Greqi ka protesta të popullsisë, e cila nuk mund ose nuk do të marrë njerëz të tjerë”, tha deputeti grek Notis Marias, nga fraksioni nacional- konservator. Organizatat humanitare dhe Kombet e Bashkuara kritikojnë kohën e gjatë të pritjes në kampet greke të refugjatëve. Njëkohësisht numri i njerëzve që vijnë në Greqi nga toka është shtuar, tha Marias.
Kufij të brendshëm me kufij të jashtëm të mbrojtur
Deputetja konservatore Roberta Metsola theksonte në një raport zytar të parlamentit, që mbrojtja e përbashkët e kufijve të jashtëm e diskutuar dhe vendosur disa herë nga BE, nuk është bërë. “Vetëm nëse kufijtë e jashtëm mbrojen mirë, është e mundshme që të mbahen hapur kufijtë e brendshëm të BE,” tha Roberta Metsola nga Malta. Në kufijtë e brendshëm disa vende anëtare kanë vite që bëjnë kontrolle të papritura, megjithëse kjo duhet të ndodhte vetëm në raste përjashtimi. Parlamenti i kërkoi Komisionit të BE që të ndryshojë rregullat e ndërhyrjes së kufitarëve të Frontexit dhe të vendosë më shumë personel. Ligjet përkatëse rregulluese u vendosën me shumicë votash.
Megjithatë problemi është se pjesa më e madhe e 28 vendeve anëtare nuk bashkëpunojnë. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive i patën përkrahur planet e bëra në verë të 2018-ës, që të shtojnë brenda tre vjetëve personelin e Frontexit nga 1500 në 10 mijë vetë dhe që t’i japin më shumë kompetenca duke e kthyer agjencinë në institucion të vërtetë. Por kur muajin e kaluar filloi zbatimi praktik i këtyre planeve, shumë vende anëtare u tërhoqën. Ata as nuk ishin të gatshëm për të dërguar rojet kufitare, as kishin dëshirën t’ia kalonin kontrollin kufitar autoriteteve të BE-së. Për këtë ka kohë që ankohen zyrtarët e BE-së. Njëri prej tyre thotë: “Frontexi dhe mbrojtja e kufijve nuk janë praktikisht efektiv”.
Shtetet anëtare nuk duan të dorëzojnë kompetencat
Qeveria populiste në Itali kritikoi Komisionin e BE-së, se kërkon që të fusë hundët në çështjet e brendshme të vendeve anëtare. Edhe vene të tjera ishin dakord me këtë kritikë. Ngritja e institucionit që u pa si urgjent gjatë verës, do të shtyhet tani deri në vitin 2027. Edhe vetë Austria dhe Hungaria, që patën kërkuar me ngulm zgjerimin e Frontex-it, kanë filluar tani të lëkunden. Nga ideja, që punonjësit e Fronte-it të vendosen në kufijtë e jashtëm të një vendi anëtar, edhe nëse ai është kundër, u hoq dorë. “Nuk ekziston asnjë mundësi që ministrat e brendshëm të aprovojnë një gjë të tillë,” thuhet nga një zyrtar i BE, që është i informuar për konsultimet.
“Kompetencat i mbeten vendeve anëtare. Kompetencat, pajisja dhe armatimi i rojeve të Frontex-it do të mbetet e kufizuar,” tha deputetja Roberta Metsola. E paqartë është çfarë do të ndodhë me njerëzit që sulmohen në kufi ose në bregdet. “Rregulli për shpërndarjen vazhdon të bllokohet në Këshillin e vendeve anëtare. Kjo është për të ardhur keq,” thotë deputetja europiane. As reforma e të drejtës së azilit dhe i ashtuquajturi “Rregulli i Dublinit”, që përcakton cili shtet anëtar është përgjegjës për migrantin e ardhur, nuk u arrit të bëhej në këtë periudhë legjislative.
Hapa të vegjël përpara
Komisari i BE për migracionin, Dimitris Avramopoulos, beson se ngritja e mbrojtjes kufitare europiane dhe e rojeve bregdetare është duke bërë përparime me gjithë kundërshtimet. “Ajo që ne kemi sot, nuk mund të krahasohet me kufijtë e para pesë vjetëve. Pak nga pak ne do ta zgjerojmë mbrojtjen kufitare dhe do t’i arrijmë synimet në vitin 2027. Kjo nuk është shtyrje, por proces i bërë me hapa të ngadalshëm,” tha Avramopoulos. Punonjësit e Frontex-it do të kenë shumë shpejt të drejtën që t’i kthejnë migrantët në kufi, njoftoi Avramopoulos. Kështu do të mund të luftohet “migracioni ilegal”. “Nëse dikush ka dyshime për rëndësinë e Frontex-it, unë do i thosha: Asnjë vend nuk është në gjendje t’i përballojë i vetëm këto kërkesa”.
Pas katër vitesh konsultime dhe përgatitje, Parlamenti Europian i dha këtë javë dritën jeshile kombinimit të të dhënave të ndryshme të azilkërkuesve, hyrjeve dhe daljeve, hetimeve dhe pasaportave të humbura. Punonjësit e kufirit duhet të jenë kështu në gjendje që të dallojnë hyrjet e padrejta. Kjo është një kërkesë e vjetër e bërë nga ekspertët e policisë, kërkesë e cila nuk është plotësuar deri tani. Numri i hyrjeve ilegale në kufirin e BE-së vazhdon të bjerë në krahasim me vitin 2015. Sipas të dhënave të Frontexit, vitin e kaluar pati 150 mijë hyrje ilegale.