Më shumë se 80 për qind e grave janë joaktive dhe shkalla e papunësisë është rreth 40 për qind, raporton Ekonomia Online.
Kurse nga gratë e punësuara, 60 për qind janë të punësuara në sektorin privat dhe rreth 28 për qind në sektorin publik, ndërsa të tjerat janë ose të vetëpunësuar, punojnë në organizata joqeveritare ose në organizata ndërkombëtare.
Këto të dhëna u bënë publike në tryezën “Drejt fuqizimit”, gjatë prezantimit të e hulumtimit mbi tejkalimin e barrierave të mospjesëmarrjes ekonomike të grave dhe barrierave në vendin e punës, të publikuar nga Institutit Riinvest të mbështetur nga USAID-i.
Drejtori ekzekutiv në Institutin Riinvest, Alban Hashani ka kërkuar që ligjet të avancohen për të krijuar barazi.
“Fuqizimi grave lidhet me pavarësinë ekonomike të tyre, dhe pjesëmarrja e tyre në tregun e punës është e rëndësishme që ta avancojë pozitën tyre, përndryshe ato do të jenë në margjinat e shoqërisë dhe do të jenë dhe subjekt i dhunës gjinore, të cilën jemi dëshmitarë edhe në vitet e fundit dhe në vijimësi”.
Igballe Rogova nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, tha se 64 për qind të grave të punësuara në sektorin privat nuk kanë guxuar të kërkojnë pushim të lehonisë.
“64 për qind e grave në sektorin privat, s’kanë guxuar me kërkua pushim të lehonisë. Gratë nuk guxojnë me kërkuat pushim të lehonisë se frikohen që e humbin vendin e punës. Në këtë situatë në Kosovë, që po i bënë me humb vendin punës, është vërtet katastrofë. Sfida akoma më madhe është kujdesi ndaj fëmijëve”.
Nadeem Shahi nga USAID-i ka kërkuar bizneset dhe institucionet që të mos i diskriminojnë gratë në procesin e punësimit.
“Ne e dimi se gratë e Kosovës janë të arsimuara dhe profesionalisht të përgatitura, dhe këto barriera jo vetëm që i pengojnë ato që të të punojnë, por e pengon Kosovën që ta rritë potencialin vet”.
“Derisa Kosova ka marr hapa për fuqizimin e grave duke përfshirë këtu edhe aftësimin profesional, Kosova duhet të bëjë edhe më shumë për të siguruar se gratë janë të inkurajuara që të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në ekonomi”.