Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka votuar Projekt-Statutin e Trepçës, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka ka thënë se draft-statuti do të jetë i ndryshueshëm në mënyrë që t’i përshtatet zhvillimit të kësaj ndërmarrje.
“Fabrika e pajimeve kam deklaruar që fillimisht ka qenë jashtë, por ajo tash është e përfshirë. Statuti është dokument që mund të ndryshohet. Nuk është dokument që ka me pas vështirësi në ndryshimin e saj. Ka me u bë një vlerësim i aseteve nga një kompani e jashtme e pavarur”, tha ai.
Lluka ka thënë se draft-statusi është i kompletuar.
“Për shkak të mos kënaqësisë së punëtorëve jemi pajtuar me sindikatën që të krijojmë dy grupe punuese një që i trajton kërkesat e punëtorëve dhe një për asetet e papërfshira”.
“Për benefitet sociale jemi pajtuar që të trajtohen veçmas dhe nuk e kanë vendin në status. Ky është version i kompletuar, i tillë ka kaluar në Qeveri. Ne jemi bashkë me kryetarin e bordit dhe sindikatën”.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka pyetur ministrin lidhur me fabrikën e pajimeve dhe përfshirjen e këtij aseti në statut.
“Unë kam lexuar që fabrika e pajimeve nuk është përfshi në pajisje dhe nuk i ka fajet borxhi. A është përfshi ky aset? Çka me listën e aseteve që AKP-ja ka bërë një inventarë”.
Kryetarja e komisionit, Sala Berisha-Shala ka thënë se kërkesë e deputeteve ka qenë të votohet marrëveshja me përfshirjen e kërkesave të sindikatës.
Sipas saj, votimi i këtij draft-statuti i hap rrugë zhvillimit të Trepçës.
“Marrëveshja si e tillë ka qenë jo shumë e arsyeshme për zhvillimin ekonomik të Trepçës. Ne i hapim rrugë Trepçës të funksionoj si njësi e vetme nëse e votojmë. Po e quani ngutje draft-statusin e Trepçës a në fakt po ngutemi që 3 vite, a është nguti apo zvarritje”, tha ajo.
Deputeti Liburn Aliu, nga VV-ja tha se për dallim nga draft-statuti i kaluar ky është më i kompletuar.
“Ky drat-statuti që ka ardhur ka një përparim mjaft të madh sepse janë fut asetet e Trepçës. Për neve është e rëndësishme që të ketë marrëveshje mes jush dhe të futen asetet e Trepçës. Ajo çka e kam cek është që procedura që ne kemi qenë skeptik përmes komisionit ka qenë një procedurë që ka mund me ndryshuar komplet përmbajtjen e statutit”.
“Ne kemi një ligj që ka shumë probleme serioze, kam frikë që prapë do të përvidhen gabime në ligj. Unë mendoj që pak është e ngutshme sepse nëse e lexojmë e shohim që ka gabime. Ne nuk jemi kundër mirëpo këto nuk janë probleme të vogla. Unë mendoj që problemet e kësaj natyre sikur kanë kaluar pa i shikuar”, tha ai.
Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca ka thënë se draft-statuti ka probleme elementare, raporton EO.
“Problemi vjen në formë të materies i cili është statuti. Ka shumë probleme që nuk mund të thoni që pajtueshmëria me sindikatën nuk i zgjedh problemin”.
“Ekspertet kanë dhënë disa vërejtje që duhet mi pas parasysh dhe duhet të ndreqen. Ka gabime elementare ne draft-statut sa neve mundet me na ardhur marre për çka e kemi qu dorën”.
Deputeti i PDK-së Memli Krasniqi tha se ky nuk është statuti ideal mirëpo si i tillë duhet të kalojë në mënyrë që t’i hapet rrugë zhvillimit të Trepçës.
“Ky është një statut optimal, unë nuk po mendoj qe po ngutemi në fakt jemi vonuar. Me gjithë defektet qe mund të jenë, ky statut është më i mirë qe kemi mund me pas”, tha ai.
Draft-statuti i Trepçës është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.
Statuti përcakton themeluesit e shoqërisë aksionare, aksionet e tyre, veprimtarinë, strukturën organizative, kapitalin themeltar, menaxhimin, afarizmin dhe të gjitha çështjet organizative që lidhen me kompaninë.
Emërtimi i shoqërisë aksionare është “Trepça” Sh.A dhe selia e saj është në Parkun Industrial të Mitrovicës.
Miratimi Statusit të Shoqërisë Aksionare “Trepça” Sh.A., do të mundësojë zbatimin e Ligjit për Trepçën dhe versioni i miratuar është në pajtueshmëri të plotë nga të gjithë akterët që ndikohen nga kjo kompani.