Mbikëqyrësit e Zonave të Mbrojtura në Kosovë, nga sot, do t’i nënshtrohen provimit profesional për të fituar të drejtën e ushtrimit të detyrave të punës së tyre. Kjo çështje është rregulluar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përmes një Udhëzimi Administrativ për Përmbajtjen dhe Mënyrën e Dhënies së Provimit Profesional për Mbikëqyrësit e Zonave të Mbrojtura e që është nënshkruar nga u. d ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi.
Ky Udhëzim Administrativ sipas u. d ministrit Matoshi, ka për qëllim të rregullojë mënyrën më efikase të menaxhimit me zonat e mbrojtura dhe ngritjen e kapaciteteve të stafit të këtyre zonave të mbrojtura.
U. d ministrit Matoshi, ka treguar se ky udhëzim do të ndikojë në kompletimin e infrastrukturës ligjore për mbrojtjen e natyrës dhe do të jetë bazë për parandalimin dhe zbutjen e ndikimeve negative në zonat e mbrojtura si dhe ruajtjen e larmisë biologjike dhe peisazhore dhe mbrojtjen e vlerave të natyrës.
Udhëzimi Administrativ, është nënshkruar duke u bazuar në standardet e Bashkimit Evropian dhe është plotësisht në harmoni me konventat, direktivat dhe marrëveshjet nga lëmia e mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit, ndërsa teksti është hartuar sipas sistemit juridik të Republikës së Kosovës me një koncept të lehtë për zbatim.
Udhëzimi Administrativ përbëhet prej gjithsej 12 neneve dhe përmban shtojca përcjellëse si: temat profesionale për nënshtrim e provimit profesional, aplikacion për nënshtrim të provimit profesional për mbikëqyrës dhe certifikata mbi dhënien e provimit profesional të mbikëqyrësit.