Me vendim të Pacollit, biznesmeni Shkëlqim Devolli emërohet Konsull Nderi në Malin e Zi

Prishtinë | 19 Nën 2019 | 19:15 | Nga Ekonomia Online

Biznesmeni Shkëlqim Devolli ka marrë një post diplomatik, këtë herë nga Republika e Kosovës.

“Kohavisioni” ka siguruar një vendim, me të cilin Devolli, është emëruar për Konsull Nderi i Kosovës në Malin e Zi, raporton KTV.

Vendimi, i cili nuk mban datë, por që pretendohet të jetë nxjerrë në gusht të këtij viti, precizon se Devolli do t’i përfaqësojë interesat e Republikës së Kosovës në Malin e Zi, më saktësisht në rrethin konsullor të Rozhajës, rreth një orë udhëtim larg Pejës, vendlindjes së tij.

MPJ-ja ka provuar për disa muaj ta mbajë të fshehtë këtë vendim.

KTV-ja, javën e kaluar ka dërguar pyetje te zyra për media, këshilltarët dhe Sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme, lidhur me kohën e emërimit të Devollit, formën e përzgjedhjes dhe angazhimet e tij.

Askush në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nuk e ka konfirmuar, por as mohuar emërimin e Shkëlqim Devollit për Konsull Nderi në Malin e Zi.

Por, që një vendim i tillë është nxjerrë, e ka konfirmuar një javë më vonë, në kushte anonimiteti, një zyrtar i lartë i kësaj ministrie.

Ngjashëm, pa përgjigje kanë mbetur edhe pyetjet dërguar në adresë të Korporatës “Devolli”, që për pronar ka Shkëlqim Devollin.

Shkëlqim Devolli ishte konsull i Maqedonisë në Pejë, derisa vëllai i tij, Blerim Devolli, ka qenë Konsull Nderi i Shqipërisë po ashtu në Pejë, por më vonë i shkarkuar nga kjo pozitë.

Të ngjashme