Medalja në Paris erdhi në kohë ideale për Nora Gjakovën

Prishtinë | 09 Shk 2020 | 18:26 | Nga Ekonomia Online

Nora Gjakova ka fituar të shtunën medaljen e parë në Grand Slamin e Parisit, që njihet si gara më prestigjioze në sportin e xhudos. Ajo fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 57 kilogramë, ndërsa ka pasur përballje me top-xhudiste botërore.

Për Koha.net, Nora ka thënë të dielën se medalja në Paris erdhi në kohën më të mirë të mundshme. Ajo tani ka kohë mjaftueshëm për t’i bërë përmirësimet që i synon, që në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” të jetë në formën më të mirë të mundshme.

“Më shumë jam e kënaqur me rezultatin se me paraqitjen. Ka kohë që e kam pritur këtë medalje dhe jam munduar të jem më e kujdesshme. Ndryshe prej garës në Tel-Aviv, këtu më kanë munguar hedhjet, por taktikisht kam bërë ndeshje të mira”, ka thënë Nora Gjakova.

Ajo ka dy medalje të bronzta në dy garat e para të vitit. Është prej xhudisteve më të mira në botë në kategorinë deri 57 kg. Këtë po e dëshmon çdo ditë.

“Çdo gjë po shkon mirë. Me këtë medalje kam kohë më shumë që të përmirësohem aty ku kam nevojë dhe të përgatitem për garat e ardhshme pa stresin për pikët olimpike. Kjo medalje më ka motivuar shumë dhe ka ardhur në kohën e duhur për mua. Këtë motiv do ta shfrytëzoj për më shumë punë drejt Lojërave Olimpike ‘Tokio 2020’”, ka thënë Gjakova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme