Media serbe: Egjipti tërheq njohjen për Kosovën?

Prishtinë | 08 Jan 2018 | 09:02 | Nga

Lufta diplomatike e Serbisë për të ndaluar njohje të reja të Kosovës dhe për të pakësuar numrin e vendeve që i kanë qëndruar në krah Prishtinës, së shpejti mund të rezultojë me një fitore të madhe – që Egjipti të tërheqë vendimin për përkrahjen që i ka dhënë pavarësisë së Kosovës, shkruan sot gazeta e Beogardit “veçernje novosti” online.

Sipas kësaj gazete, transmeton Koha.net, në Egjipt po forcohet rryma me qëndrimin se ka ardhur koha që të shqyrtohet vendimi për njohjen e pavarësisë së “krahinës jugore serbe”, ndaj të cilës “që në fillim ka pasur dyshime në qarqet politike dhe në opinion”.

Gjithnjë sipas këtij portali të Beogradit, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Kajroja u bë më 26 qershor, vetëm disa ditë pasi që me puç ushtarak nga pushteti u rrëzua kryetari i atëhershëm i vendit Mohamed Morsi. Vendimin për njohje e lexoi zëdhënësi i atëhershëm i MPJ të Egjiptit Badr Abdel Atti, i cili kishte thënë se “Egjipti dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë”.

Ky portal vazhdon të shkruajë se “qorrsokaku që u krijua me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Vëllazëria Myslimane, në një mënyrë e përmirësoi garnitura aktuale, sepse, siç konstaton “novosti”, edhe pesë vjet pas njohjes, nuk janë zhvilluar as marrëdhënie ekonomike e as diplomatike të Kajros me Prishtinën e as nuk janë hapur ambasadat, përcjell Koha.net

Se këto marrëdhënie kanë mbetur në nivel shumë të ultë, ia ka konfirmuar kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq kryetari aktual i Egjiptit Abdel Fattah el Sisi, me të cilin ishte takuar në New York gjatë shtatorit të vitit të shkuar.

Para disa ditësh, Abdel Latif el Menawy, të cilin “novosti” e prezanton si njërin nga gazetarët më të çmuar në Egjipt, në gazetën “Al-Masry Al-Youm”, kishte shkruar artikullin me titullin”A është koha të shqyrtohet vendimi i Vëllazërisë”? Ai në shkrim ka thënë se Egjipti do të duhej ta përmirësonte dëmin dhe ta shqyrtojë vendimin që e ka marrë “Vëllazëria Myslimane” duke u përpjekur që me atë vendim të kënaqte SHBA-në.

“Në vitin 2017 ka filluar tërheqja e njohjeve të Kosovës dhe këtu nuk do të ketë fund. Vazhdojmë aksionin intensiv diplomatik që numri i vendeve që e ka njohur Kosovën të bjerë nën 100”, ka thënë Daçiq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme