Mediat britanike: Bandat shqiptare po kontrollojnë trafikun e emigrantëve drejt Anglisë

Prishtinë | 19 Gus 2022 | 10:37 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet angleze ngrenë shqetësimin e bandave shqiptare që po trafikojnë emigrantë në Britani të Madhe.

Në një artikull të “Daily Mail” thuhet se vetëm gjatë këtij viti në Angli kanë shkuar mbi 5 mijë shqiptarë përmes Kanalit Anglez duke përdorur varka të vogla.

Vetëm të mërkurën në brigjet e Britanisë së Madhe zbarkuan rreth 600 emigrantë, gjysma e të cilëve shqiptarë.

Sipas burimeve të “Daily Mail”, grupet shqiptare tashmë po dominojnë në Kanalin Anglez për trafikun e emigrantëve. Ata kalojnë në brigjet angleze me anë të varkave të vogla.

Një tjetër shqetësim i ekspertëve të sigurisë ka të bëjë edhe me emigrantët shqiptarë që po shkojnë në shtetin ishullor. Sipas “Daily Mail”, grupet kriminale shqiptare që veprojnë në Britani të Madhe rekrutojnë këta emigrantë që i kontrabandojnë në Angli dhe i përdorin për shpërndarje droge.

Arsyeja është e thjeshtë, që emigrantët t’u shlyejnë borxhin e rrugës së kalimit drejt Anglisë. E në këtë mënyrë i detyrojnë që të punojnë për “punët e tyre të pista”. Këta emigrantë të rekrutuar, thonë burimet e “Daily Mail”, janë persona pa precedentë penalë dhe kjo e bën akoma më të vështirë për autoritetet britanike që të kenë informacione rreth tyre dhe çfarë përfaqësojnë.

Por trafiku i emigrantëve nuk bëhet vetëm duke kaluar në det përmes Kanalit Anglez, por vazhdon të përdoret edhe metoda duke u fshehur nëpër kamionët e mallrave.

Të ngjashme