Seanca ndaj katër deputetëve të Vetëvendosjes në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbyllur për mediat.
Për këtë veprim, nuk ka vendim me shkrim derisa arsyetimi i gjyqtarit i transmetuar nga ana e Policisë është se salla e gjykimit është e vogël dhe nuk ka hapësirë.
Në këtë seancë pritet të dëshmojnë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli akuzohen për veprat penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Në seancën e fundit të 7 dhjetorit, kishin dëshmuar deputeti i LDK-së, Naser Osmani, dhe ai i PDK-së, Bekim Haxhiu, ndërsa Flora Brovina, Xhavit Haliti, Nuredin Ibishi dhe Blerta Deliu-Kodra po ashtu kanë dëshmuar deri më tani në këtë proces gjyqësor.