Mediat rumune e kanë vlerësuar humbjen e ekipit kombëtar të Rumanisë në hendboll në kurriz të Kosovës, si më të turpshmen në historinë e vendit të tyre, pasi ajo praktikisht ia ka shuar shpresat për kualifikimin në Kampionatin Evropian 2022.
Para takimit me Rumaninë të dielën, Kosova nuk e kishte fituar asnjë ndeshje garuese si mysafire, por ia doli ta trondiste ekipin rumun me sulm dhe mbrojtje të fortë, duke triumfuar bindshëm 30:25, raporton Gazeta Express.
Kjo fitore në Fazën e dytë Kualifikuese i jep shpresë Kosovës për t’u kualifikuar në evropianin e hendbollit për herë të parë në historinë vet.
Kosovës do t’i duhet t’i zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera madhështore kundër Malit të Zi dhe Suedisë për t’u kualifikuar në turneun që do të mbahet në Hungari dhe Sllovaki.
Njëlloj nuk mendojnë mediat rumune për ekipin e tyre, të cilat nuk besojnë në aftësitë e Rumanisë për ta arritur kualifikimin që janë duke e pritur tash e 25 vjet.
“Ekipi kombëtar i meshkujve në hendboll e pësoi humbjen më të turpshme në histori dhe i thotë lamtumirë EURO-s” ishte titulli në ballinën e gazetës rumune “GSP.RO”.
“E pabesueshme, por e vërtetë! Para katër ditëve në Prishtinë, trekolorët ia dolën ta merrnin vetëm një rezultat cilësor me Kosovën, sot, në Bukuresht, ekipi i përgatitur nga Rares Fortuneanu u turpërua nga i njëjti ekip. Kosova fitoi 30:25 përballë një ekipi blasfemie, pa dëshirë dhe i pafuqishëm në sulm dhe mbrojtje”, shkroi gazeta rumune.
“Romania ka 25 vjet që ëndërron për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian. Pas fitores me Malin e Zi, besohej se pritjes i erdhi fundi. Por tani, gjithçka është rrënuar.”
Rumania, ka ende gjasa, megjithatë, pasi do t’i ketë edhe dy ndeshje deri në fund, kundër Suedisë dhe Malit të Zi.