Pas përplasjes që ka filluar ndërmjet presidentit të Turqisë dhe kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të arrestimit dhe deportimit të paligjshëm të 6 gylenistëve nga shërbimi sekret turk në Kosovë, i cili u ndihmua edhe nga AKI, mediat pro Erdoganit kanë filluar t’i bëjnë portrete Haradinajt.
Gazeta Yeni Akit, ndër të tjera shkruan se AKI e Kosovës është trajnuar nga shërbimi sekret turk MIT, por vëmendje u kushton edhe fëmijëve të politikanëve kosovarë që i shkollojnë fëmijët në shkollat e Gylenit.
Përveç djalit të kryeministrit Haradinaj, Gjinit, dhe fëmijëve të Veselit, edhe fëmijët e ministrit të Ekonomisë Besim Beqajt, shkojnë në shkollat e Gylenit, shkruan gazeta turke e afërt me Erdoganin.
Pastaj në këtë shkrim vëmendje i kushtohet Haradinajt, i cili ishte më i zëshmi kundër rrëmbimit të 6 gylenistëve.
Aty theksohet se Haradinaj, para se të vinte në Kosovë nga Perëndimi, ka qenë rojë në diskotekë dhe më pas, pas shpërthimit të luftës në Kosovë, u bë njëri nga komandantët kryesorë të UÇK-së. Ai, shkruan gazeta, është liruar dy herë nga Tribunali i Hagës.
Po ashtu, Yeni Akit, shkruan se Haradinaj s’ka mundur asnjëherë të fitojë më shumë se 10 përqind në zgjedhje edhe pse në vitin 2004 ia doli të bëhet kryeministër. Sidoqoftë entuziazmi kishte zgjatur vetëm 4 muaj. Por, ai, shkruan Yeni Akit, që nga shtatori i vitit 2017, është bërë edhe një herë kryeministër. “Këtë herë si duket e ka kapluar çmenduria” shkruan tutje gazeta.
Ai, vazhdon shkrimi, edhe në Parlamentin e Kosovës quhet pijanec sepse pi alkohol dhe njihet si kryeministër i skandaleve. Ndërkohë që përmenden edhe pushimet e Haradinajt në Zvicër, ku thuhet se ka shpenzuar 68 mijë euro, derisa kosovarët po jetojnë në varfëri.
“Kush paguan nuk dihet”, shkruan kjo gazetë.
“Kur është pyetur se nga i erdhi shtëpia e tij, ai tha se shokët e luftës ma ndërtuan atë. Por, ai ka edhe një shtëpi tjetër që ia ka lëshuar me qira një klinike turke, për 6 mijë euro. Familja Haradinaj trajtohet në spitale private derisa kosovarët tjerë nuk po mund të gjejnë shërim në spitalet shtetërore”, shkruan gazeta.
Më pas gazeta pro Erdogan, i kushton vëmendje edhe deklaratave të Haradinajt rreth religjionit.
“Unë kam lindur mysliman, por nuk e di pse jam mysliman. Kurrë nuk kam qenë në xhami në jetën time“, e citon Yeni Akit Haradinajn.
Po ashtu aty përmendet edhe refuzimi i tij ndaj Erdoganit, duke thënë se nuk e ka vëlla liderin turk.
Kjo gazetë shkruan se në ditët në vijim do të merret edhe me Thaçin e Veselin dhe ish-ministrin Hoxhaj.
Por, aty theksohet se kosovarët e duan Erdoganin për shkak të deklaratave të tij se Kosova është Turqi e Turqia Kosovë, të cilat Erdogani i kishte bërë në Prizren në vitin 2013.