Pas humbjes me Napolin, mediet italiane kanë kritikuar Thomas Strakoshën për pasiguritë që shfaqi në këtë ndeshje.
Futbollisti shqiptar pritet të jetë titullar deri në fund të sezonit dhe duhet të tregojë se është një garanci për të ardhmen, në mënyrë që të fillojë si numri 1 edhe sezonin e ardhshëm. Por paraqitja e mbrëmshme në humbjen 3-0 ndaj Napolit është vlerësuar negativisht në mediat italiane.
Megjithatë, trajneri Simone Inzagi i ka dalë në mbrojtje portierit të talentuar shqiptar në konferencën për shtyp menjëherë pas ndeshjes.
“Mendoj se tani do të ishte shumë e thjeshtë për mua që t’i hidhja fajin apo të krijoja alibi me persona që nuk janë të pranishëm. Por unë jam i mendimit se Strakosha po bën gjëra të mëdha. Është normale që edhe ai të ketë procesin e tij të rritjes ashtu si të gjithë të rinjtë që kemi aktivizuar në këtë sezon.
Pastaj me shumë mundësi, te goli i dytë, vija e mbrojtjes me 5 duhej të kishte mbrojtur portierin tonë. Por jam i kënaqur si me portierin tonë, ashtu edhe më të gjithë djemtë e tjerë në skuadër”, u dha fund diskutimeve Inzagi duke shfajësuar paraqitjen e Strakoshës.
Sipas mediave italiane, është pikërisht trajneri ai që duhet të vërë veton për të ardhmen e Strakoshës, nëse do të jetë portier i parë edhe në sezonin e ardhshëm, apo nëse duhet afruar një lojtar tjetër meqë Marketi duket shumë pranë largimit.
Presidenti Lotito dhe drejtori sportiv Tare kanë dhënë pëlqimin e tyre për Strakoshën, por këtë radhë kanë vendosur që të respektojnë mendimin e trajnerit për këtë pozicion shumë delikat në skuadër.