Meghan Markle, e cila në maj e lindi fëmijën e saj të parë, për editorialin e shtatorit bashkëpunoi për shtatë muaj me kryeredaktorin e “Vogue” britanik, Edward Enninful.
Ish-aktorja tha se në numrin zakonisht më të lexuar të shtatorit të “Vogue”, kërkoi ta përqendrojë vëmendjen e publikut në vlerat, çështjet dhe njerëzit të cilët bëjnë ndryshim në botën e sotme, në femrat e angazhuara në promovimin e fuqizimit të femrave, në promovimin e shëndetit mendor, dhe në çështjet raciale dhe ato mjedisore.
Në revistën, e cila del në shitje më 2 gusht, do të publikohet intervista e Meghan dhe ish-zonjës së parë të Shteteve të Bashkuara, Michelle Obama (55 vjeç), si dhe intervista e bashkëshortit të saj Harry me Dr. Jane Goodall (85 vjeç), etnologen dhe primatologen e njohur botërore.
Në kopertinën e revistës do të shfaqen 15 femra inspiruese, mes të cilave janë modelja dhe aktivistja Adowo Aboaha (27), kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern (39), aktorja dhe zëdhënësja e të drejtave të femrave, Salma Hayek (52), aktivistja adoleshente e cila paralajmëron për ndryshimet klimatike, Greta Thunberg (16), dhe më pas aktoret Gemma Chan (36), Laverne Cox (47) dhe Jane Fonda (81), si dhe boksierja Ramla Ali.
Meghan do ta prezantojë edhe shkrimtaren Chimamanda Ngozi Adichie (41), balerinën kryesore të baletit mbretëror Francesca Hayward (21), dhe modelen dhe ish-refugjaten Adut Akech (19).
“Shpresoj që përmes përzgjedhjes së larmishme të femrave në kopertinë do ta ndieni forcën e komunitetit dhe mbështetjen e tyre në gjërat për të cilat mendoj se është e nevojshme të flitet dhe se ato do t’ju frymëzojnë ashtu siç më kanë frymëzuar edhe mua”, – tha Meghan.
Redaktori Edward Enninful u sqaroi lexuesve se pse Meghan nuk shfaqet në kopertinë.
“Që nga fillimi folëm për kopertinën dhe nëse ajo duhet të jetë në mesin e femrave të zgjedhura. Në fund, ajo vendosi se nuk dëshiron ta tërheqë vëmendjen tek vetja sepse do të ishte ‘tepër imponuese’ dhe vendosi të përqendrohet në femrat të cilat edhe vetë i adhuron”, – tha Enninful.
Meghan është anëtarja e parë e familjes mbretërore e cila bashkëpunon me mediat, shkruan KOHA Ditore. Konsiderohet se anëtarët dhe anëtaret e familjes mbretërore nuk kanë të drejtë të përfshihen në shoqëri në këtë mënyrë sepse rolet e tyre janë simbolike dhe, në përputhje me rregullat, duhet të merren vetëm me punë humanitare.
Dukesha e Cambridgeit u shfaq në kopertinën e revistës në qershor të vitit 2016, princesha Diana gjatë jetës së saj i zbukuroi kopertinat e tri botimeve të “Vogue” britanike, ndërsa princesha Ana tri herë, në 1971 dhe dy herë në vitin 1973.