Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj thotë se Garda Kombëtare është forca kryesore e mbështetjes ushtarake të autoriteteve qendrore dhe lokale.
Mehaj derisa ka treguar për takimin që kishte me disa prej gardistëve, shprehet se profesionalizmi i tyre i jashtëzakonshëm, vullneti i madh dhe moralit të lartë i tyre janë imazhi i jashtëzakonshëm i suksesit të Kosovës edhe para partnerëve ndërkombëtarë.
“Garda Kombëtare – Forca jonë kryesore e mbështetjes ushtarake të autoriteteve qendrore dhe lokale. Nder i madh të jesh në mesin e Gardistëve të Kombit, heronjve të luftës dhe paqes, që pandërprerë përballen me rrezikun nga minat dhe mjetet e paeksploduara, nga vërshimet, materialet e rrezikshme, zjarret, ndërtimin e urave e projekteve tjera sfiduese, si dhe në operacione të kërkim- shpëtimit urban, malor e ujor.
Me ta ndava përgëzimet për sukseset e panumërta të vitit që lamë pas duke ju garantuar më shumë kushte pune, mirëqenie më të lartë, mundësi të reja aftësimi të mëtejmë dhe më shumë pajisje moderne në vitin 2022. Profesionalizmi i jashtëzakonshëm, vullneti i madh dhe morali i lartë i tyre, janë imazhi i jashtëzakonshëm i suksesit tonë edhe para partnerëve tanë ndërkombëtar.
Urime Gardistë Viti i Ri 2022! Zoti ju bekoftë me mbarësi si gjithmonë në misionin tuaj të shenjtë”, ka shkruar Mehaj në “facebook”.