Mehaj: Jemi duke e monitoruar situatën kritike të sigurisë në Evropë

Prishtinë | 24 Shk 2022 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se kjo ministri është duke e monitoruar situatën.

Ai në përmes Facebook-ut ka bërë të ditur se po monitorojmë të gjitha dukuritë dhe proceset rajonale e globale

“Siç kemi paralajmëruar edhe më herët, Rusia e sinkronizuar me aleatin e saj, Serbinë, vazhdojnë intenzivisht me aktivitetet e luftës hibride, tashmë të njohura, në rajonin tonë, siç ishin edhe deklaratat dezinformuese, para pak ditëve nga Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë. Kjo dezinformatë e rrezikshme, qëllimi i së cilës lexohet qartë, synon të shkaktojë konfuzion brenda unitetit të deritashëm të vendeve dhe kombeve me orientim euroatlantik, dhe të cenoj kohezionin e përgjithshëm të qytetarisë botërore demokratike që solidarizohen me Ukrainën dhe popullin e saj”, thuhet në shkrimin e tij.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e lajmeve të rreme, por t’i marrin parasysh vetëm informacionet zyrtare, përcjell Klankosova.tv.

“Qytetarë të dashur. Lajmet e rrejshme, trillimet dhe inskenimet e mundshme, janë element që zbatojnë strukturat ruse dhe ato të sponzorizuara nga ta, në vazhdimësi edhe në situatën aktuale. Prandaj kërkojmë nga ju që të mos bieni viktimë e tyre, por të merrni parasysh vetëm informacionet zyrtare nga institucionet relevante shtetërore të Republikës së Kosovës.Republika e Kosovës, dhe qytetarët e saj në përgjithësi, përmes përfaqësuesëve të saj kanë shprehur hapur dhe në mënyrë të vendosur mbështetjen për popullin e Ukrainës, si dhe për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj”.

“Prandaj, nuk kanë asnjë arsye të organizohen në struktura joshtetërore për të ofruar një solidaritet dhe mbështetje të tillë, traditë kjo e njohur pikërisht nga vet qarqet ruse dhe serbe për veprime me mekanizma e struktura paramilitare dhe mercenare famëkeqe të njohura tani më për krime monstruoze në Ballkan, viktima të  së cilave janë edhe vet populli ynë liridashës e paqedashës.Republika e Kosovës është e bashkuar me  Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, aleatët e tyre nga NATO dhe Bashkimi Evropian.Në anën tjetër, nëse kërkohet nga SHBA, si partneri dhe aleati ynë jetik, për angazhimin tonë, jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që ata vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme”, thuhet në shkrimin e Mehajt.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga vendimmarrësit politik dhe ushtarak të NATO-s, që sa më parë të procedojnë me ftesën për anëtarësimin tonë në NATO.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj pa dallim, kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë fuqishëm në vazhdimësi, orientimin e plotë dhe të natyrshëm euroatlantik, andaj edhe kërkojmë nga vendimmarrësit politik dhe ushtarak të NATO-s, që sa më parë të procedojnë me ftesën për anëtarësimin tonë në NATO”.

“Duke pasur parasysh, kërcënimet dhe rreziqet që cenojnë shumë seriozizht mjedisin e sigurisë, paqes, stabilitetit dhe demokracisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, nga politika destruktive dhe agresive e Rusisë dhe aleatëve të saj, është koha që SHBA të miratojë kërkesën tonë të kahershme për vendosjen e bazës së përhershme ushtarake amerikane në Kosovë. Për arsyen e njëjtë, gjithashtu vlerësojmë se është koha që kërkesa jonë e përhershme për anëtarësim në NATO të trajtohet me seriozitetin maksimal dhe vendimmarrje konkrete pozitive. Ky veprim  do të jetë edhe një vlerë e shtuar, krahas vlerave që bartë NATO, dhe përkon me  synimin tonë kryesor nacional, në aleancë të përjetshme me SHBA-në”, ka shkruar Mehaj.

Të ngjashme