Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka mbajtur konferencë për medie për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka konfirmuar fuqishëm përkrahjen për Kosovën.
Mehaj tha se gjatë vizitës në ShBA i ka ofertuar atyre, bazën e përhershme amerikane në vend.
“”Me nderin dhe privilegjin e veçantë, ju njoftoj se kjo vizitë e imja, ishte vizita e parë e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës në SHBA. Në cilësi të Ministrit të Mbrojtjes, jam pritur dhe kam zhvilluar takime shumë përmbajtësore me autoritetet më të larta të vendimmarrjes dhe politikëbërjes amerikane. Pra, jam pritur dhe kam takuar autoritetet e larta të Departamentit të Mbrojtjes, Departamentit të Shtetit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare që është pjesë e Zyrës Ekzekutive të Presidentit të SHBA-së”.
“Kam takuar dhe mbajtur ligjëratë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare para përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, profesorëve dhe akademikëve nga universitete të shquara në SHBA. Në Këshillin Atlantik, para ish-diplomatëve, ambasadorëve dhe njohësve të shumtë të rajonit tonë, çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare”.
“Meqë edhe vet jam nga diaspora shqiptare unë në agjendën time kam lënë edhe takime me veprimtarë të shquar të diasporës tonë”.
“Departamenti Amerikan i Mbrojtjes na ka konfirmuar fuqishëm përkrahjen për Kosovën. Shpreha gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit, ndërveprueshmërinë ndërmjet ushtrisë sonë dhe asaj amerikane, ofertë për bazën e përhershme amerikane në Kosovë”.
Mehaj ka bërë të ditur që është hapur konkursi për pranimin e 840 ushtarëve të rinj.
“Kam kënaqësinë që në këtë takim me ju të ju njoftoj se sot zyrtarisht shpallim të hapur konkursin për pranimin e 840 ushtarëve të rinj në FSK..Ky është konkursi për pranimin e numrit më të madh të ushtarëve në FSK deri më tani. Njoftoj të gjithë të rinjtë e të rejat e vendit tonë, të të gjitha komuniteteve pa dallim, që dëshirojnë të jenë pjesëtarë të FSK-së, që të na bashkohen për shërbim ndaj vendit. Ministria e Mbrojtjes, të gjithë të interesuarve, ju garanton proces fer dhe transparent.Do të zbatohen plotësisht procedurat dhe kriteret ku do të zgjidhen. Më të mirët prej më të mirëve”.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është Ushtria e vendit, force profesionale, multi etnike dhe në shërbim të të gjithë qytetareve pa dallim të përkatësisë etnike. Nga pozita e ushtarakut, ju rikujtoj se shërbimi në ushtrinë e vendit është detyrim i shenjtë, borxh dhe nderë ndaj historisë sonë të dhimbshme por të lavdishme. Detyra, nderi dhe atdheu janë amaneti i të gjithë paraardhësve tanë që sakrifikuan gjithçka për lirinë, pavarësinë dhe shtetin që sot po e gëzojmë. Andaj, shfrytëzoj rastin të ftoj të gjithë të rinjtë e të rejat e vendit, që të konkurrojnë pa hezitim, sepse FSK është e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shërbimi ndaj saj është obligim i përbashkët”, tha Mehaj para gazetarëve”.
Mehaj tha se duhet t’i përmbahen marrëveshjes me NATO-n për veriun, raporton EO.
“Kemi diskutuar për situatën në veri, por siç e dini që ju operacionet e kohëve të fundit, janë pjesë e punëve të brendshme, çështja e veriut jemi në diskutime, por që kemi një marrëveshje me u përmbajt”.