Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka prezantuar automjetet e blinduara taktike, të cilat së shpejti do të jenë në shërbim të Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Mehaj përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se, “së shpejti këto automjete të blinduara taktike, të kompletuara me platformën e integruar të armatimit dhe pajisjet e nevojshme për përmbushjen e misionit, do të jenë sistem shumë i rëndësishëm i kapaciteteve tona ushtarake”.
“Një ndër objektivat e mi operacional afatshkurtër është forcimi i kapaciteteve ushtarake për realizimin e operacioneve mbrojtëse dhe operacioneve ndërkombëtare paqeruajtëse dhe stabilitetit”, shkruan Mehaj.
Tutje, ministri i Mbrojtjes theksoi se “Karakteristikat e larta teknike dhe taktike dhe lëvizshmëria e jashtëzakonshme e tyre, siguron mbrojtje shumë të lartë balistike, ndaj minave si dhe rritje të kapacitetit të ngarkesës dhe vëllim të brendshëm”.
“Bazuar në doktrinën tonë të operacioneve këto automjete sigurojnë performancë të jashtëzakonshme në gamë të gjerë të terreneve sfiduese dhe kushteve klimatike”, shkruan Mehaj.