Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim homologun britanik James Heappey.
Mehaj, përmes një postimi në Facebook, tha se në këtë takim diskutuan për thellim bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.
“Në këtë takim, që përveçse dëshmon bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona, diskutuam pika të ndryshme me qëllim zgjerimin e këtij bashkëpunimi në fushën ushtarake, pjesëmarrjen në misione, stërvitje dhe trajnime të përbashkëta, si dhe shkollimin e kuadrove të reja ushtarake të FSK-së në Akademinë e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Mehaj tha se pas realizimit të suksesshëm të trajnimit të përbashkët në Ishujt Falkland shprehu gatishmërinë e FSK-së të marrë pjesë edhe në misione të tjera përkrah Forcave të Armatosura britanike.
“E po ashtu temë tjetër diskutimi ishte dhe investimi në industrinë e mbrojtjes dhe blerjen e pajisjeve ushtarake të cilat po bëhen përmes marrëveshjeve shtet me shtet, sipas standardeve të NATO-s dhe në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit”.
Heappey, sipas Mehajt, vlerësoi lart ndihmën e ofruar nga Republika e Kosovës në evakuimin e refugjatëve ukrainas, e po ashtu mbështetjen e ofruar në trajnimin e ushtarakëve ukrainas në fushën e çminimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.
Po ashtu, siç thotë Mehaj, Heappey ndër të tjerash theksoi se Kosova do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe në procesin e integrimit në organizatat ndërkombëtare, para së gjithash në BE dhe në NATO.