Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Jeton Mehmeti po merr pjesë në takimin e Platformës Evropiane të Rregullatoreve të Mediave (EPRA) që po mbahet në Limassol të Qipros.
Takimi i EPRA-s ka nisur me prezantimin e Mehmetit, i cili foli për kompetencat, obligimet dhe juridiksionin e KPM-së sipas Ligjit të ri për KPM-në.
“Harmonizimi i ligjeve të Kosovës me direktivat evropiane, përfshirë legjislacionin për media, është duke ndodhur. Për dallim nga shumë ligje tjera, Ligji për KPM-në ka ngjallur reagime të shumta nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, përfshi Këshillin e Evropës, OSBE-në, Avokatin e Popullit dhe Asociacionin e Gazetarëve. Ky interesim për të kontribuar në përmbajtjen e tij dëshmon se liria e shprehjes dhe e mediave në Kosovë vlerësohet dhe diskutohet gjerësisht”, deklaroi Mehmeti.
Takimi i 60-të i EPRA-së po mbahet nën organizimin e rregullatorit të mediave të Qipros (CRTA) dhe ka në fokus ndikimin e Inteligjencës Artificiale në punën e rregullatorëve të mediave.
Nga KPM pjesëmarrës janë edhe Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Niman Racaj dhe Drejtori i Departamentit të Monitorimit dhe Analizë, Mirand Tafarshiku.
E themeluar në vitin 1995, EPRA ka 55 anëtarë nga 47 shtete të ndryshme të Evropës. KPM është anëtar me të drejta të plota.