Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se çmimet aktuale për sigurimin e automjeteve nuk kanë ndryshuar që nga viti 2001, raporton Ekonomia Online.
Ai në një konferencë për medie ku temë diskutimi ishin tarifat e vendosura nga kompanitë e sigurimeve, shtoi se vendimin e kanë marrë edhe duke respektuar rekomandimet e bëra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Guvernatori ndër të tjera tha se një kompani e huaj mund të rishikojë çmimet dhe të marrë një vendim.
“Ne jemi dakord të rishikohet çmimi dhe të merret një vendim, mund ta bëjë edhe një kompani ndërkombëtare. Bordi ekzekutiv e ka marrë një vendim dhe me qëllim që të jemi transparent, po atë ditë të vendimit ne kemi lëshuar një komunikatë ku janë treguar arsyet e këtij vendimi. BQK-ja është rregullator mbikëqyrës dhe njëkohësisht e ka për obligim që të bëjë edhe rregullimin e tarifave për kompanitë e sigurimeve”.
“Për këtë qëllim, BQK-ja duke vepruar konform legjislacionit në fuqi dhe duke respektuar rekomandimet e bëra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vendosur që të bëhet rishikimi i çmimeve aktuale”.
“Çmimet aktuale kanë mbetur pa ndryshuar nga viti 2001; pavarësisht asaj se është kërkesë ligjore që për çdo vit të bëhet rishikimi i tarifave. Rishikimi nuk nënkupton rritje apo zbritje, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë që nga viti 2001”.
“Nëse shohim ankesat që i pranojmë çdo ditë, vërehet se polismbajtësit kanë probleme. Mirëpo, kjo nuk është masa e vetme që e kemi ndërmarrë – ka ardhur koha që çdo kompani e sigurimit ta kuptojë se kur është fjala te respektimi i ligjit, BQK-ja ka tolerancë zero”.
“Nga viti 2001 e deri më tani kanë ndodhur shumë zhvillime dinamike që kanë pasur ndikim në ekonominë e Kosovës. Faktori i parë ka qene rritja e numrit të dëmeve posaçërisht tek automjetet e kategorisë së parë. Kërkesat kanë qenë të vazhdueshme nga ana e kompanive të sigurimeve. Fillimisht ka pasur kërkesa që të rriten çmimet për 36 për qind. Mirëpo ne kemi vlerësuar gjendjen dhe e kemi refuzuar këtë kërkesë”.
“Ne e kemi marrë si bazë referente shkallën e inflacionit nga viti 2002 deri në vitin 2018. Sa i përket çështjeve të tjera duhet përmendur një fakt që është me interes për publikun. Në vitin 2001 kur është miratuar ky ligj nuk ka qenë të përfshira edhe aksidentet e bërë na Shqipëri. Ndërsa kompanitë e sigurimeve vazhdojnë t’i mbulojnë dëmet e shkaktuara atje”.
Për protestën e nesërmve Guvernatori Mehmeti tha se ato janë të lejuara me ligj, duke mos komentuar më shumë.
“Jemi në dispozicion të sqarimit me çdo palë të interesuar”, tha Guvernatori Mehmeti.
Zëvendësguvernatori Sokoli Havolli, tha se rritja prej 26.6 për qind nuk është shkelje ligjore.
“U kemi dhënë ultimatum kompanive të shfuqizojnë rregulloren për shpenzime si dhe do ndryshojmë rregulloren me qëllim që masat të shkojmë në drejtim për kompensimin e dëmeve ndaj klientëve. Qëllimi është që të arrijnë te kemi një sektor të shëndetshëm të sigurimeve në aspektin financiar”.
Havolli, shtoi se vendim për rritjen e tarifave, u bë për mbrojtje të klientëve.
“Duhet të kapitalizohet industria e sigurimeve. Duhet të kemi sektor të shëndetshëm të sigurimeve, kompanitë e sigurimeve duhet të jenë të gatshme të mbulojnë obligimet ndaj qytetarëve e të mos mbesin borxh. Do të marrim masa për kompanitë që nuk i tregojnë problemet”.
“Kemi pasur rënie të aseteve të kapitalit. Ju kemi dhënë ultimatum kompanive që ta zbatojnë rregulloren e shpenzimeve. Do të rishikojmë tregun e sigurimeve që TPL të mos jetë burimi kryesor i fitimeve të kompanive të sigurimeve”.
Ai në konferencë tregoi edhe arsyetimet tjera se pse është marr ky vendim.
“Për industrinë e sigurimeve ka rëndësi paga mesatare, pasi që këto duhet t’i paguajnë pagën për pjesën tjetër të jetës së të aksidentuarit. Me një prim të njëjtë edhe vlera e lartë e veturës”.
“Vlera e primit ka mbet e njëjtë është rrit nga 450 euro që ka qenë pasluftës në 1 300 euro aktualisht. Jemi të vetëdijshëm se ka mospajtime, por vendimi është mbrojtja e mbajtësve të polisave të sigurimit. Të hyrat e primit nga aplikimi i skemës bonus malus kanë qenë për 20 për qind më të vogla”.
Ditë më parë ka hyrë në fuqi vendimi i BQK-së për shtrenjtimin për 26 për qind të sigurimit të automjeteve.