Aleanca Kosova e Re me kandidatin e saj për kryeqytet, Gëzim Mehmeti, ka vazhduar fushatën e saj për zgjedhjet komunale 2021, raporton Ekonomi Online.
Mehmeti këtë herë ka vizituar klubin e Basketbollit për Femra,”KBF Prishtina”. Nga aty, Mehmeti u njoh për së afërmi me planet që i ka ky klub, teksa nuk la pa premtuar përkrahje për këtë klub.
Mehmeti ka premtuar ndërtimin e qendrës olimpike, ku përfshinë qendrën e mjekësisë sportive, terenin e një sallë sportive e shumëçka tjetër. Kostoja e këtij projekti sipas tij do të kushtojë mbi 6 milionë euro.
“Edhe unë mes basketbollisteve e ndiej veten më së miri. Me Selimin (Pacollin) në vitin 2001 e kemi formuar një klub të basketbollit (KB Mabetex), ku kanë qenë edhe disa shok dhe pastaj dy herë jemi shpallur kampion, dhe kemi qenë të parët që i kemi sjellë Kosovës basketbollist amerikan. 10 vjet kam luajtur në gjermani. Sa i përket sportit ne kemi plane. Shumë afër këtu e kemi planifikuar qendrën olimpike. Aty kemi paraparë qendrën e mjekësisë sportive, terenin e një sallë sportive, artet marciale, stazën e atletikës. Gjithë investimi është 6 milion e 700”.
Nënkryetari i AKR-së, Selim Pacolli, ka thënë se ka qenë qëllim që të rinjve t’u mundësojnë kushte për jetë për aktivitete sportive.
“Pallatin e Rinisë e kemi kthyer si aset të komunës sepse iu ka nënshtrua mundësisë së likuidimit. Është aset që kushton gjysmë miliard euro. Në atë zonë shitet për 100 mijë euro miminimumi. Përderisa qeveria e shpronëson një tokë në periferi jo të largët mund të kushtoj 100 mijë euro. Ai pallat t’iu kthehet të rinjve. Ai objekt do t’i kthehet qytetarëve dhe gjeneratave të reja. Pallati brenda vitit 2022 besoj t’iu kthehet të rinjve të saj. Ne po pretendojmë në secilën lagje të kemi terene sportive duke mos anashkaluar edhe fshatra. Në mandatin e ardhshëm Prishtina do të ketë në secilën lagje terene sportive. Kur flasim për Majlindën e Norën po gëzohemi që po sjellim medalje. Unë besoj që kulturën dhe sportin ta kemi prioritet si komunë”, u shpreh ai.
Trajneri i klubit, Lorik Kllokoqi, ka thënë se qëllimi i tyre prezantimi i qytetit sa më mirë.
“Po shpresojmë ta prezantojmë qytetin sa më mirë qysh jena përpjek. Synimi i klubit Prishtina çdo herë është me fitu kupën dhe titullin kampion”, u shpreh ai.