Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga AKR-ja, Gëzim Mehmeti, ka vizituar banorët e fshatit Prapashticë te familja e Bekim Gecit, raporton Ekonomia Online.
Përfaqësuesit e kësaj zone thanë se Gëzim Mehmeti duhet të votohet, sepse sipas tyre sa ka qenë drejtor i Infrastrukturës ka punuar mjaftueshëm.
“Askush nuk ka punua më shumë sesa Gëzim Mehmeti sa ka qenë drejtor i Infrastrukturës bashkë me Selim Pacollin. Andaj ne Gollaku sot duhet t’i japim përkrahje të vazhdueshme Gëzimit.
Kandidati për Kryetar të Prishtinës nga kjo parti Gëzim Mehmeti gjatë bashkëbisedimit me këta banorë tha se pa Gollak Prishtinë s’ka.
“Jemi akuzuar se pse po biem rrugë nëpër këto zona, por që mund të them se pa Gollak Prishtinë s’ka. Po ndalem edhe tek pjesa ku kemi punuar. Kemi në plan shumë investime madhore dhe me kandidatët që i kemi për asamble komunale do fokusohemi në shume sfera, si ajo e bujqësisë, infrastrukturës dhe sektor të tjerë”, tha Mehmeti.
Gjatë kësaj vizite, Mehmeti ishte i shoqëruar edhe nga nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, i cili theksoi synimet e tyre dhe të AKR-së si dhe besimin e kërkuar nga qytetarët.
“Ne jemi sot për të prezantuar programin tonë dhe të kërkojmë besimin tuaj dhe të na jepni mbështetjen tuaj. kemi këtu edhe asambleistën e Prapashticës e cila mund të quhet ambasadore e këtij vendi. Vend të veçantë i kemi dhënë infrastrukturës dhe kështu kemi paraparë shumë plane zhvillimore”, tha Pacolli.
Asambleistja nga kjo parti, Fitnete Bejta, tha se AKR nuk ka vetëm premtime por kanë strategji.
“Nuk kemi vetëm premtime por kemi strategji për të zhvilluar edhe bujqësinë por edhe turizmin. Ne kemi planin shumëdimensional duke ju ndihmuar fëmijëve, bujqëve dhe sektorit privat”, tha Bejta.
Banorët e kësaj pjese e kryepleqtë e Gollakut u dhanë mbështetje krerëve të kësaj partie duke i falënderuar për punën e bërë deri tani.