Mesfushori Migjen Basha pritet që gjatë këtyre ditëve të zyrtarizojë kalimin e tij në A-League të Australisë, derisa “goal.com” të mërkurën ka njoftuar se Melbourne Victory është ekipi që po kërkon me ngulm atë.
Mësohet se Melbourne tashmë i ka ofruar Bashës kontratë dyvjeçare, i cili në radhët e kësaj skuadre do të transferohej si lojtar i lirë, pasi pritet të shkëpusë kontratën me Arisin grek.
Basha tek ekipi australian shihet si përforcim i duhur për edicionin e ri, që në Australi nis muajin e ardhshëm. Basha do të largohet nga Arisi, pasi këtë edicion nuk e ka regjistruar asnjë paraqitje në kampionatin grek.
Melbourne Victory ka tre tituj kampioni të Australisë në histori të klubit, kurse pjesë e tij në të shkuarën ishte edhe Besart Berisha.
Basha 32-vjeçar, ka një përvojë të madhe në Evropë, pasi ka bërë karrierë edhe te Bari, Como, Luzerni, Torino, Atalanta, Frosinone, Rimini, Viareggio, Lucchese e Lausanne. Ai ka edhe 29 ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë prej së cilës u tërhoq javë më parë.