Melburni izolohet sërish

Prishtinë | 03 Gus 2020 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Qyteti australian, Melburn do të mbyllë qytetet, fabrikat dhe bizneset tjera jo të domosdoshme, teksa autoritetet po përballen me shpërthime të reja të koronavirusit.

Në mesin e masave të kufizimit përfshihet edhe ora policore në qytetin me pesë milionë banorë, pasi izolimi fillestar nuk ka arritur të ndalë virusin e raportuar fillimisht në Kinë, në fund të vitit të kaluar.

Rreth një milion punëtorë do të detyrohen që shumë shpejt të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.

Për këtë arsye autoritetet kanë thënë se do të paguajnë punëtorët që janë detyruar të izolohen për 14 ditë, nëse paraprakisht kanë shfrytëzuar ditët e pushimit mjekësor.

Kryeministri australian, Scott Morrison ka thënë se pagesa prej 1,500 dollarëve australianë do të ndahet për ata që nuk kanë qasje në përfitime tjera dhe mund të zbatohet disa herë.

Autoritetet australiane kanë vlerësuar se masat e reja do të zvogëlojnë shkallën e përhapjes së koronavirusit.

Deri së fundmi, Australia ka pasur sukses më shumë sesa shumica e shteteve tjera në luftimin e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, mirëpo një shpërthim në Viktoria ka çuar kombin në pikën më të rëndë deri më tani.

Më shumë se gjysma e totalit të numrit të të infektuarve, 18,300, janë regjistruar vetëm muajin e kaluar në Viktoria.

Në territorin australian deri më tani është raportuar për 215 vdekje të lidhura me COVID-19.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme