Kandidatja për deputete në zgjedhjet e fundit nga radhët e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka akuzuar kryetarin e vetëvendosjes Albin Kurtin për sjellje joserioze ndaj LDK-së në këtë peridhë të negociatave për arritjen e koalicionit qeverisës.
Ajo tha se LDK-ja po kërkon poste të baraspeshuara me Vetëvendosjen pasi kanë dallim me vetëm një deputet, njofton Klan Kosova.
“Takimet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së që po përfundojnë pa rezultat nuk duhej të ishin kështu. Por duke qenë Vetëvendosja e para me një deputet më shumë i ka takuar të jetë “pronare”, por këtë rol s’e ka luajtur”.
“Vetëvendosja tërë kohën po përpiqet që të hedhë fajin ndoshta me pretendime që në zgjedhjet e ardhshme të fitojë më shumë. Të vërtetën po e shoshin qytetarët, mënyrën se si është qasur bisedimeve është tërësisht e papranueshme. Mënyra e qasjes ndaj LDK-së është denigruese dhe e papranueshme. Kjo parti e ka lënduar procesin e arritjes së marrëveshjes”.
“Sjellja e Albin Kurtit është joserioze dhe despotike. Me keqardhje them se ai s’ka ndryshuar se paku jo në këtë fazë të zhvillimeve”.
Tërmkolli ka thënë se posti i presidentit ka qenë një mundësi e kalueshme dhe institimi i LDK-së ka qenë që të ketë një baraspeshë të posteve.
“Kurti ka treguar që nuk është i gatshëm me udhëheqë qeverinë, s’është i gatshëm as të bashkëpunojë me askënd. Nuk është i gatshëm të perceptojë kërkesën që janë krejt normale nga një subjekt tjetër politik”.
“Këto gjëra e bëjnë të pandryshuar në kuptimin e asaj që e kërkon pushtet absolut. Kjo nuk ndodhë as në Kosovë as në një vend tjetër demokratik”.
Tërmkolli ka thënë se sipas asaj që ka ndodhur me negociatat para koalicionit edhe nëse arrihet ky është zor që mund të funksionojë.
“Vetëvendosja ka ardhur me kandidat për president Rexhep Qosjen dhe ia ka hedhur fytyrës LDK-së. Kështu nuk mund të sillesh me një subjekt që pretendon të arrijë një marrëveshje. Pra edhe nëse arrihet marrëveshje vështirë se do të funksionojë. Nëse Kurti do një pushtet absolut është vështirë të funksionohet”.