Anëtarja e AAK-së, Meliza Haradinaj-Stublla, ka kritikuar kandidatin e ‘Lëvizjes Vetëvendosje’, Albin Kurti, për standardet e dyfishta që ai i përdorë në raport me qytetarët dhe shtetin e Kosovës.
Sipas Meliza Haradinajt, Kurtit “kur i konvenon zhagitet me trenerka nëpër rrugë e nuk e njeh Republikën e Kosovës, e kur i konvenon vishet në kravatë e setër e vetëkandidon për kryeministër të po të njejtës Republikë të cilën se njeh, por nga e cila e merr rrogën”.
Ky është reagimi i plotë Meliza Haradinajt:
Albini, sot një partiak i thjeshtë, hibrid, që kur i konvenon zhagitet me trenerka nëpër rrugë e nuk e njeh Republikën e Kosovës, e kur i konvenon vishet në kravatë e setër e vetëkandidon për kryeministër të po të njejtës Republikë të cilën se njeh, por nga e cila e merr rrogën!
Kur i konvenon, ia vendosë maskën edhe Visar Ymerit, e bën kryetar ‘partie’, dhe ia dikton gojen dhe duart. Me mburojën ‘Visar Ymeri’, Albini tenton t’i mbulojë pasiguritë e të metat e tij. Por ne nuk jemi edhe aq naivë sa mendon ai.
‘Demokracia’ e këtyre partive është e diktuar nga prapaskenat, nga farsa, nga kontradikta e morali inekzistent. Ditën shesin moral politik, natën negociojnë pakte fantome kundër Kosovës. E pamë çka ndodhi me tentimin për koalicion me AKR e me LDK, gjë për të cilën po akuzojnë AAK.
Kujt i duhet një kandidat për kryeministër i tillë, pa mendim autentik, pa konsistencë, pa fuqi, pa takt, pa orientim të qartë se çfarë do jetë Kosova që duam të gjithë. Soji i kandidatëve të tillë, sa për sy e faqe, ndihen borxhlinj vetëm ndaj partive të tyre, e jo ndaj qytetarëve. Ata premtojnë një Kosovë që e duan ata, e jo një Kosovë që e duam të gjithë.
Shëndeti i Kosovës rimëkëmbet vetëm me një dorë të fortë, me një kryeministër të denjë e të guximshëm për vendime të mëdha që e presin Kosovën. Një kryeministër që ka vizion të qartë për orientimin e Kosovës, dhe forcimin e shëndetit të saj. Një kryeministër që e di cilat janē detyrat praktike të tij që nga dita 1, një kryeministër që flet se si do të jetë Kosova nesër e jo siç ishte Kosova deri sot. Një kryeministër që preokupohet me të ardhmen, e jo me të shkuarën. Nga e shkuara i marrim vetëm mësimet se si nuk duhet të veprojmë!
Ju tanimë e dini se për çfarë Kosove ka ardhë koha!